Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Shëndetësia”: Disa të lënduar nga protesta e 24 tetorit, mes tyre edhe efektivë policie

schedule09:40 - 25 Tetor, 2026

schedule 09:40 - 25 Tetor, 2026

23 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore me dëmtime të ndryshme pas protestës së zhvilluar më 24 tetor 2026. Shifrat paraprake janë bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në informacionet e mbledhura nga spitalet dhe poliklinikat.

Sipas njoftimit, 16 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, mes tyre 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie. Njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtime në sy dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.

Ministria bën të ditur se për protestuesin e dëmtuar në sy do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar mes ekipeve të Spitalit Universitar të Traumës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim përcaktimin e vijimit të trajtimit mjekësor.



Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur pesë persona: një deputet i Kuvendit, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas ministrisë, të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.

Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë. Edhe ata kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar.

Sipas bilancit paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë, në total 23 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës, ndërsa vijon ndjekja e gjendjes së protestuesit që pësoi dëmtime në sy.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!