Shehi: Tirana duhet sjellë si kampione! Seferi? Nuk e dimë çfarë do ndodhë

schedule11:48 - 18 Gusht, 2022

schedule 11:48 - 18 Gusht, 2022

Orges Shehi, trajneri i Tiranës, në prag të duelit kundër Kukësit doli në konferencë për mediat. “Kjo është ndeshja e parë e kampionatit dhe shorti na ka rezervuar një rival direkt. Është një ndeshje që gjithmonë e hapin kampionët dhe të shkojmë të luajmë si kampionët në fuqi.”

Në lidhje me situatën në ekip, Shehi shtoi: “Limaj ende vuan dëmtimin e kupave të Europës. Seferi ka kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore, por të paktën ka minimumi 5 ditë që stërvitet me skuadrën. Ditën e djeshme na erdhi një sulmues i ri, që donim ta kishim në skuadër, por ai i është bashkuar ekipit dje”.

Shehi shtoi më pas: “Kampionati është një maratonë e gjatë dhe deri në përfundim të këtij edicioni janë 36 ndeshje. Duhet të sillemi si kampionë dhe kjo duhet të fillojë që nesër, që të kemi vazhdimësinë për objektivat madhorë. Në gjithë karrierën time që merrem me futboll, kampionatin e vjetshëm të Tiranës shumë pak skuadra mund ta kenë bërë, pasi është dominuar nga java e 5-të deri në javën e fundit.”

“E kaluara e mirë e vitit të kaluar do të jetë barometri i këtij sezoni. Kampionati dhe skuadrat janë të ndryshme nga viti në vit, edhe ne jemi të ndryshëm nga vjet. Kemi ndryshuar minimalisht 40% të skuadrës. Nëse do ta kemi barometrin sezonin e kaluar atëherë do të gabojmë sa i përket pikëve dhe ecurisë së kampionatit. Situatat e këqija duhet t’i minimizojmë.”

“Merkato? Me datë 31 gusht është dita kur mbyllet merkato. Edhe ne kemi lojtarë cilësor brenda në skuadër që nga momenti në moment edhe mund të largohen. Seferin e kemi këtu, por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas të premtes.”

“Rivalët e Tiranës? Skuadrat që kanë qenë në Europë kanë ndryshuar trajnerë, si Partizani edhe Laçi. Kur vjen trajner i ri, duhet të shohësh lojtarët, rreshtimet që bëjnë. Nuk kemi një ide të qartë për këto skuadra që kanë qenë në Europë, apo edhe për ekipe të tjera si Kukësi, që nuk kemi shumë informacion.

Gjithë fazën e kanë kryer jashtë shtetit dhe kanë ndryshuar shumë lojtarë. Rivalët tanë do të jenë të përhershmit, por të mos harrojmë edhe Egnatian. Ata kanë shpenzuar shumë, duke marrë lojtarë cilësorë. Mendoj pas fazës së parë, çdo skuadër do të tregojë potencialin edhe objektivin që kanë për atë që shfaqin në fushë”, tha Shehi. / abcnews.al