Shehi: Sa keq që nuk kam luajtur për Tiranën, titulli më shijoi më shumë si trajner

schedule21:52 - 7 Maj, 2022

schedule 21:52 - 7 Maj, 2022

Orges Shehi festoi titullin kampion për herë të parë si trajner dhe kjo ndodhi në derbi kundër Partizanit. Tekniku i bardhebluve, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi: “Gjithë merita u shkon këtyre djemve, që kanë qenë të palodhur duke u stërvitur që prej datës 5 korrik.

Ndoshta janë mërzitur dhe më kanë duruar shumë, sepse gjatë kampionatit kemi ndryshuar shumë skemën dhe strategjitë. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi dhe është privilegj i madh për mua, që punoj me këta lojtarë”

” Është e vërtetë që në tre ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet dhe kjo prej shumë faktorëve, si terrenet, motivimi etj., por sot donim të bënim diçka të bukur. Patëm probleme me mungesat, por ata që luajtën u angazhuan mirë.

Edhe pasi kaluam në disavantazh, luajtëm me qetësi dhe nuk e humbëm toruan, duke ia dalë të shënojmë dy herë dhe të marrim një fitore mjaft të bukur, që na kurorëzoi kampionë”.

” Ne ndryshuam kur kaluam Taulantin në të majtë, por dihen vlerat e Totres. Kur pashë që mungonte parrulla “No Totre, No party”, isha gati ta shkruaja vetë, por ma lehtësuan punën tifozët, duke e nxjerrë në tribunë, pasi dihen vlerat e Ennurit”.

Titulli i parë me Tiranën shijon më shumë, pasi është një punë e madhe, ku duhet të përgatitesh vetë, por të mendosh edhe për të tjerët. Është një kënaqësi e trefishtë dhe më shijon më shumë se titujt që kam fituar si portier”.

Skepticizmi ka qenë i madh dhe unë madje kisha edhe sfidë me veten, ndaj jam i kënaqur që bëra tifozët për vete, pasi fatkeqësisht nuk kam luajtur asnjëherë për Tiranën”, përfundoi Shehi. / abcnews.al