Në lidhje me dështimin e aksionit për arrestimin e tre ish-zyrtarëve të lartë të policisë së Vlorës ka reaguar edhe vetë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Kjo strukturë ka sqaruar se ka marrë me 21 nëntor kërkesën për arrestimin e tre zyrtarëve, që ndërkohë ishin pezulluar nga detyra duke u lënë në dispozicion, por të nesërmen, me datë 22 nëntor, kur ka ushtruar kontrollin nuk i ka gjetur askund.
Procedimi penal për llogari të të cilit u urdhërua arrestimi i ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës dhe ndalimi i dy kolegëve të tij ka nisur në vitin 2016. Ministria e Brendshme njoftoi zyrtarisht të enjten se këto urdhra, si edhe tre leje për kontroll banesë, i janë dorëzuar Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) rreth orës 10:30 minuta të ditës së mërkurë. Urdhër ndalimet e firmosur në 21 nëntor 2017 i përkisnin Jaeld Çelës, ish-drejtor i Policisë Vendore Vlorë, Gjergji Kohilës, ish-shef i Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Vlorës, të dy të liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion nga prilli i këtij viti. Masa e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë i përkiste Sokol Bodes, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga deyra 25 tetor 2017. Tre ish-drejtuesit e policisë në qytetin bregdetar dyshohen për “kultivim të bimëve narkotike”, “trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit kriminal, si dhe për “grup të strukturuar kriminal”.
Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat tre, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre.
Ministria e Brendshme konfirmoi se nga kontrolli i kryer në banesat e tre ish-zyrtarëve të policisë janë sekuestruara prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme.
Nga ana tjetër, u bë e ditur se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit nga radhët e policisë për tre oficerët e shpallur në kërkim./abcnews.al
https://youtu.be/L0yXNyOL3gk