SHBA vendosi sanksione Dodikut, ambasadori serb në Washington shkon për ta mbështetur

schedule11:52 - 9 Janar, 2022

schedule 11:52 - 9 Janar, 2022

SHBA-ja e sanksionoi të mërkurën anëtarin serb të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik. Por kjo nuk e ke penguar ambasadorin e Serbisë në Washington, Marko Gjuriq që të shkojë në Republika Srpska në Bosnjë për ta mbështetur atë.

Gjuriq dje në Banja Llukë u nderua, ndërsa e përmendi Kosovën dhe punën e tij sa kishte qenë drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.

“Më vjen mirë edhe për vajzat e mia që një ditë do të mund të analizojnë dhe të shohin se çfarë kemi bërë në atë periudhë, kështu që ndoshta edhe ata duan të vazhdojnë këtë fill të luftës sonë, që besoj se është shumë brezash”, tha Gjuriq.

Ai nuk ia përmendi emrin Dodikut, por vizita e tij në këtë kohë dëshmon se vendimi i vendit më të fuqishëm në botë, SHBA-së, ku Gjuriq është dërguar si ambasador, nuk e ka shkëputur mbështetjen institucionale që Serbia ia jep njerëzve të tillë.

Gjuriq tha se Serbia do të vazhdojë ta mbështesë Republika Srpskan – sigurisht edhe liderin e serbëve në Bosnjë, Millorad Dodik, të cilin SHBA-ja e cilëson si të përfshirë në akte korruptive dhe se po e destablizon Bosnjën.

“Në periudhën e ardhshme, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe angazhimin e shumicës së popullit serb, kjo mbështetje do të vazhdojë”, tha Gjuriq.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të mërkurën për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik. Siç thuhet në njofim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.

Sanksionet e reja përfshijnë bllokimin e aseteve dhe llogarive bankare.

“Si rezultat i aksionit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të të sanksionuarve të listuar më sipër që ndodhen në SHBA ose apo kontrollohen nga një shtetas amerikan janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC (Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja)”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit.

Gjithashtu u theksua se sanksionet përfshijnë lloje të tjera ndalimesh.

“Të gjitha transaksionet e kryera nga qytetarët e SHBA-së, ose brenda Shteteve të Bashkuara (ose në tranzit përmes Shteteve të Bashkuara) që përfshijnë çdo pronë ose të drejtë pronësie të personave të listuar ose të sanksionuar ndryshe janë përgjithësisht të ndaluara, përveç rastit kur OFAC ka lëshuar një leje ose përjashtim të përgjithshëm ose specifik. Ndalimet zbatohen për kontributin ose dhënien e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të sanksionuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose fondi, mallrash ose shërbimesh nga një person i tillë”, thuhet në njoftim.

Dodik e cilësoi vendimin si “të pakuptimtë”, ndërsa qahej për sanksionet e reja ndaj tij.

“Ndoshta gjëja e parë që ju bie në sy është koha e shpalljes së këtij vendimi, pra në prag të festës më të gëzuar të të Krishtlindjes. Historikisht ne si komb jemi sulmuar në festa të mëdha dhe e di që ata që qëndrojnë pas këtij vendimi e dinë. Gjëja e dytë që më vjen në mendje është se një vend që krenohet me të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias ka sanksionuar median”, tha Dodik pak minuta pas publikimit të vendimit.

Përveç Dodikut, SHBA-ja ndërmori sanksione edhe kundër ish-kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Milan Tegeltija dhe Përfaqësuesit të Asamblesë Parlamentare të Republika Srpskas, Mirsad Kukiq. Të dy u futën në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.

Së fundmi, Dodik kërcënoi hapur se do ta ndalojë punën e organeve gjyqësore shtetërore në territorin e Republika Srpskas dhe se ligjet e RS do të miratohen brenda një muaji, gjë që do t’i konfirmonte përpjekjet e para konkrete të tij për shkëputjen nga Bosnja.

Pozicionin e tij e konfirmoi edhe pas sanksioneve të shpallura.

“Nëse Bosnja shpërbëhet dhe padyshim që do të shpërbëhet, Republika Srpska është e vetmja që mund të funksionojë”, tha Dodik pas një seance të bordit ekzekutiv të partisë së tij./Express