SHBA, Trump firmos sanksionet e reja ndaj Iranit

schedule23:50 - 24 Qershor, 2019

schedule23:50 - 24 Qershor, 2019

Presidenti Donald Trump firmosi të hënën sanksionet e reja ndaj Iranit, të cilat këtë herë kanë përfshirë edhe liderin suprem të vendit, ajatollahun Ali Khamenei. Trump kanë deklaruar se masat penalizuese janë një reagim ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga pala iraniane javën e kaluar.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ka vendosur sanksionet e reja dhe më të forta ndaj Iranit, që këtë herë përfshijnë edhe zyrën e liderit suprem të vendit, ajatollahut Ali Khamenei.

Trump tha se, sanksionet shtesë janë një përgjigje ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga pala iraniane dhe ndaj shumë gjërave të tjera, të cilat ai nuk i identifikoi. Ajatollahu Ali Khamenei, që është autoriteti më i lartë i Iranit, u sanksionua për shkak se sipas Uashingtonit, ka qenë përgjegjës për sjelljet e fundit armiqësore të regjimit.

Irani e ndjen prej kohësh barrën e sanksioneve amerikane, që hynë në fuqi vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Masat ndëshkuese, sidomos ato në sektorin e energjitikës, tregtisë dhe sektorit financiar shkaktuan rënien e investimeve të huaja dhe goditën eksportet e naftës.

Ato u ndalojnë kompanive amerikane dhe atyre të shteteve të tjera të bëjnë tregti apo marrëveshje të ndryshme me Iranin. Kjo ka çuar në rënien e importit të mallrave dhe produkteve që bëhen me materiale të rralla.

Gjithashtu, rënia e vlerës së valutës vendase, rialit, ka prekur koston e prodhimeve vendase si mishi dhe vezët, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm. Nga ana e tij, Irani është përgjigjur ndaj presionit ekonomik duke shkelur disa nga zotimet e parashikuara nga marrëveshja e vitit 2015./ABC News Albania 24/7