SHBA ndihmon Kosovën me 1.1 milion euro në luftën kundër koronavirusit

schedule08:09 - 28 Mars, 2020

schedule 08:09 - 28 Mars, 2020

Departamenti amerikan i Shtetit ka ndihmuar Kosovën me 1.1 milion euro për lufën ndaj koronavirusit.

Qeveria në largim e Kosovës tha se është informuar në lidhje me vendimin nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Ky është edhe një lajm tjetër shumë i mirë për qytetarët e vendit tonë, ngase pardje nga Bashkimi Evropian siguruam 68 milionë euro. Përkushtimi i Qeverisë është në nivelin e duhur për t’u përballur me këtë pandemi”, thuhet në komunikatën për media të qeverisë në largim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë më 26 mars se Shtetet e Bashkuara kanë ndarë afro 274 milionë dollarë fonde humanitare për të ndihmuar vendet e rrezikuara në luftën kundër koronavirusit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se ky është një lajm i mirë për Kosovën. Në Kosovë janë të infektuar 88 persona me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.