Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke komentuar për incidentin e fundit mes Kosovës dhe Turqisë, tha për Zërin e Amerikës se SHBA-ja inkurajon faktin që institucionet shtetërore të Kosovës janë të vendosura për të shqyrtuar këtë ngjarje dhe për të përmirësuar garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave në bazë të procesit ligjor. Në deklaratën e DASH thuhej ndër të tjera se transparenca dhe angazhimi ndaj procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit, janë jetike për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për aspiratat euro-atlantike.
Të enjten e kaluar shërbimi sekret turk i ndihmuar nga autoritetet e Kosovës rrëmbeu 6 shtetas turq duke i dërguar në Turqi për t’i përballur me procese gjyqësore pasi regjimi i Erdogan i konsideron terroristë.
Ngjarja shkaktoi përplasje ndërmjet Presidentit të Turqisë dhe Kryeministrit të Kosovës pasi Haradinaj shkarkoi zyrtarët e përfshirë në këtë çështje./abcnews.al