SHBA kërkon nga Turqia provat për zhdukjen e gazetarit saudit

schedule13:20 - 18 Tetor, 2018

schedule 13:20 - 18 Tetor, 2018

SHBA kërkon prova audio dhe video nga Turqia, lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll. Presidenti Trump tha se shpreson në pafajesinë e udhëheqësve të Arabisë Saudite.

Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi nga Turqia dorëzimin e informacioneve audio dhe video nga Turqia, “nëse ekzistojnë”, lidhur me zhdukjen e një gazetari saudit që jetonte në SHBA, për të cilin zyrtarët turq thonë se u vra dhe më pas trupi i tij copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën e Riadit në Stamboll. Kërkesa e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë erdhi pasi ai shprehu mbështetje për Arabinë Saudite, një aleate e vjetër e SHBA dhe tha se pret që hetimi i tyre për çështjen e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi të përfundojë deri në fund të javës. Arabia Saudite ka mohuar se Khashoggi është vrarë.

I pyetur nga Fox Business në një intervistë se si do të vepronte nëse hetimi saudit tregon se përgjegjës janë udhëheqësit e Arabisë Saudite, mbreti Salman dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, Presidenti Trump tha: “Shpresoj se do të jemi në anën më të mirë e ekuacionit”. “Ju e dini që ne kemi nevojë për Arabinë Saudite sa i përket luftës sonë kundër terrorizmit, asaj që po ndodh në Iran dhe vende të tjera,” tha ai.

I pyetur nëse SHBA do të distancohej nga Arabia Saudite për rastin Khashoggi, Presidenti Trump shtoi: “Unë nuk dua ta bëj këtë dhe sinqerisht ata na kanë bërë një kontratë-porosi të jashtëzakonshme, 110 miliard dollarë”. Ai iu referua një blerjeje të premtuar armësh amerikane në vitet e ardhshme. Më tej kreu I Shtëpisë së Bardhë ritheksoi edhe njëherë se do t’I shkojë deri në fund këtij rasti. Ndërsa nënvizoi se shpresonte shumë që udhëheqësit sauditë të mos kenë qenë në dijeni të zhdukjes së gazetarit. Ndërkohë, ditë më parë sekretari I shtetit, Mike Pompeo zhvilloi takime me mbretin dhe princin e kurorës arabe si dhe me presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Ai bisedoi në këto takime për rastin e zhdukjes së gazetarit Khashoggi./abcnews.al