SHBA, ish-zyrtarja akuzohet se ka vepruar si agjente sekrete për Kinën

schedule09:30 - 4 Shtator, 2024

schedule 09:30 - 4 Shtator, 2024

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbrëmë njoftoi se Linda Sun, një ish-ndihmëse e guvernatores së New York-ut, Kathy Hochul, si dhe bashkëshorti i saj Chris Hu, janë paditur me akuzat se kanë vepruar si agjentë sekretë për qeverinë kineze.

Sipas një deklarate të departamentit, Sun, e cila mbante një pozicion të lartë në Dhomën Ekzekutive të Shtetit të New York-ut, akuzohet se ka përdorur rolin e saj për të ndihmuar qeverinë kineze dhe Partinë Komuniste Kineze (CCP).

Akuzat kundër saj përfshijnë veprimin si agjente e pazbuluar, mashtrim me viza dhe pastrim parash. Aktakuza thotë se Sun bllokoi përfaqësuesit tajvanezë nga qasja në zyrën e guvernatorit dhe ndikoi që mesazhet qeveritare të shtetit të New York-ut të përputheshin me prioritetet e qeverisë kineze.

Sun dhe Hu dyshohet se kanë pastruar miliona dollarë, duke i përdorur paratë për të blerë makina luksoze dhe prona në New York dhe Hawaii. Në deklaratë thuhet se Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) po hetojnë rastin.

Në deklaratë, prokurori amerikan Breon Peace theksoi seriozitetin e situatës, duke thënë se këto veprime tradhtuan besimin e banorëve të New York-ut. Sun dhe Hu u arrestuan dhe u paraqitën para gjykatës federale në Brooklyn. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me burgim të konsiderueshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!