SHBA, gjykata lë në burg spiunen ruse

schedule09:18 - 19 Korrik, 2018

schedule 09:18 - 19 Korrik, 2018

Drejtësia amerikane ka lënë në burg një 29-vjeçare ruse, të akuzuar për aktivitete spiunazhi në dëm të Shteteve të Bashkuara. Për prokurorët, agjentja kishte krijuar kontakte me klasën politike me qëllim depërtimin në organet e vendimmarrjes.

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka vendosur të mërkurën mbajtjen në burg të spiunes ruse Maria Butina, e arrestuar pak ditë më parë. Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorëve, të cilët paralajmëruan se në gjendje lirie e pandehura mund të arratisej, me ndihmën e kontakteve të saj në shërbimet e inteligjencës ruse.

Avokati i 29-vjeçares, Robert Driscoll hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se ajo nuk është agjente dhe denoncoi se arrestimi i saj ishte kryer pa paralajmërim. Por prokurorët insistuan se Butina, e diplomuar në Shtetet e Bashkuara, ushtronte aktivitetin e spiunazhit, duke mbajtur lidhje si me oficerë të inteligjencës ruse ashtu edhe me oligarkë rusë, të cilët financonin aktivitetet e saj.

Ata thanë se, në shtëpinë e Butinës ishte gjetur një shënim ku ajo kërkonte këshilla për një ofertë pune që i ishte bërë, gjë që sipas autoriteteve vërteton hipotezën e tyre. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, agjentja ruse kishte krijuar një grup për të drejtën e armatimit dhe ndiqte sistematikisht eventet e Shoqatës Kombëtare të Armëve.

Por, më e rëndësishmja, ajo kishte vendosur kontakte me eksponentë të partisë republikane, duke bërë miqësi me ta e madje duke i joshur me akte seksuale. Një përpjekje kjo, sipas prokurorëve, për të depërtuar në organet vendimmarrëse të qeverisë amerikane.