SHBA, fundjavë lufte në Çikago, 11 të vrarë dhe mbi 50 të plagosur

schedule19:14 - 6 Gusht, 2018

schedule 19:14 - 6 Gusht, 2018

Çikago ka përjetuar ferrin fundjavën që sapo kaloi. Një seri atentatesh me armë zjarri që u atribuohen bandave kriminale kanë lënë pas 11 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur. Autoritetet kanë dhënë alarmin duke deklaruar se qyteti është kthyer në një zonë lufte.

Qyteti i Çikagos në Shtetet e Bashkuara ka përjetuar fundjavën më të frikshme, me një seri incidentesh të armatosura që kanë vrarë 11 vetë dhe plagosur 59 të tjerë. Sipas mediave amerikane, 3 persona u qëlluan me armë ditën e premte, 14 të shtunën, 47 të dielën dhe 6 të tjerë mëngjesin e së hënës. Autoritetet policore nuk kanë ngurruar ta quajnë qytetin një zonë lufte. Më e rënda prej ngjarjeve ndodhi mëngjesin e së dielës, kur 30 persona u qëlluan në periudhën mes mesnatës dhe orës 3 të mëngjesit.

Qendra më e madhe spitalore e qytetit, Stroger Hospital, u mbush me trupat e viktimave dhe të të plagosurve, që futën në kaos shërbimin mjekësor, duke detyruar drejtuesit të ndalojnë vizitat e familjarëve. Mes 11 viktimave të regjistruara në total është edhe një vajzë 17-vjeçare, e cila është qëlluar në fytyrë teksa ecte në trotuar me një grup miqsh mëngjesin e së dielës. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, kur dy persona kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar ndaj tyre. Vajza ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa të tjerët, mes të cilëve dy djem 11 dhe 14 vjeç kanë mbetur të plagosur.

Sërish mëngjesin e së dielës, një tjetër incident i armatosur ndodhi në një zonë tjetër të qytetit, ku 8 vetë mbetën të plagosur. Një grup vajzash adoleshente që po qëndronin në një trotuar janë afruar nga një grup djemsh që kanë hapur zjarr. Plumbat i kanë prekur vajzat tek duart, këmbët dhe gjunjtë. Vala e sulmeve ka kapur të papërgatitura forcat e policisë, por edhe shërbimin spitalor, që në një moment ka mbyllur repartin e traumës për shkak të mbipopullimit. Shefi i njësive të patrullimit, Fred Waller ka deklaruar në një konferencë për shtyp se shumica e të shtënave janë larje hesapesh me bandave. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se bandat nuk i tremben ligjit dhe përfitojnë nga moti i ngrohtë për të sulmuar turma njerëzish./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!