“SHBA e mbështet nismën me fjalë por jo me para,” ish-ambasadori: Ballkani i Hapur, propagandë e show

schedule20:35 - 8 Qershor, 2022

schedule 20:35 - 8 Qershor, 2022

“Mbështetja nga SHBA për “Ballkanin e Hapur” nuk ka munguar ndonjëherë, por ka qenë gjithnjë në kuadër të deklaratave.” Kështu është shprehur ish-ambasadori i Shqipërisë në Rusi, Islam Lauka i ftuar në “Radari Informativ” në ABC.

Sipas tij, mbështetjen e vërtetë, SHBA do ta tregonte me financim dhe projekte.

“Përderisa nuk ka mbështetje me projekte dhe me para këto janë përralla. Unë gjykoj nga procesi i Berlinit që pati probleme në dinamikat e tij, por kishte financim.”

Lauka theksoi po ashtu se mes vendeve po nënshkruhen memorandume dhe jo marrëveshje. Nëse do të kishte marrëveshje, situata do të ishte krejt tjetër.

“Këtu ke memorandume të nënshkrime. Janë dokumente, por jo marrëveshje. Është paradhoma e një marrëveshjeje. Me këtë fjalë këta mashtrojnë, është propagandë kjo nismë, llafe, show.  Memorandumi, është një letër pa asnjë detyrim, hiç. Asnjë afat, asnjë përgjegjësi. U bë mirë, s’u bë, prapë mirë. Marrëveshja është gjë tjetër.”

Sipas diplomatit, duhen marrëveshje ndërshtetërore dhe kanë firma e përgjegjësi.

Sa i përket deklaratave të ministrit të Jashtëm rus për “bekimin” e kësaj nisme nga Rusia, Islam Lauka thotë se duke u nisur edhe nga retorika e Vuçiç në samit, duket qartë që deklaratat e Lavrovit qëndrojnë dhe se “Ballkani i Hapur” është një nismë që “ambalazhon bukur synimet e hapura nacionaliste të Vuçiçit.”

Po ashtu, ish-ambasadori thotë se që nga fillimi i nismës, kreu i qeverisë i ka bërë shërbimin më të keq Kosovës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!