Shtetet e Bashkuara deklaruan se dërgimi i raketave balistike nga Irani në Rusi do të përbënte një “përshkallëzim dramatik” të mbështetjes së Teheranit për Moskën në luftën në Ukrainë dhe mund të kishte “pasoja të rënda”.
“Ne jemi tepër të shqetësuar nga ky informacion. Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përbënte një përshkallëzim dramatik të mbështetjes së Iranit për Rusinë kundër Ukrainës. Ne e kemi bërë të qartë se ishim të përgatitur të impononim pasoja të rëndësishme,” u tha gazetarëve zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, pa specifikuar se çfarë hapash mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj kundër Iranit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfirmonin informacionin se Irani kishte furnizuar Rusinë me raketa balistike.
Një zyrtar i lartë iranian i mohoi raportet më herët sot, duke i quajtur ato “luftë psikologjike”. Një përfaqësues i Bashkimit Evropian e përshkroi informacionin si “të besueshëm”.
Sipas ëall Street Journal, Shtetet e Bashkuara kanë informuar aleatët e tyre evropianë për dërgimin e raketave iraniane me rreze të shkurtër veprimi në Rusi, ndërsa Moska shton sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.
Kremlini nuk e mohoi që Irani i kishte furnizuar me raketa të tilla, duke vënë në dukje se Rusia po zhvillon siç e sheh të arsyeshme marrëdhëniet e saj me Teheranin, veçanërisht në zonat “më të ndjeshme”.
Teherani, nga ana e tij, ka deklaruar se nuk po dërgon armë në Moskë./abcnews.al