SHBA, aty ku tragjedia nga armët e zjarrit është një “kulturë”

schedule22:54 - 15 Shkurt, 2018

schedule 22:54 - 15 Shkurt, 2018

Masakra në shkollën e mesme në Florida ka rikthyer debatin për armët. Sipas CNN, armëmbajtja në Amerikë është kthyer në një kulturë, që e bën të parën në botë sa i takon vrasjeve në masë.

Shtetet e Bashkuara. Vendi i lirisë, lumturisë dhe me numrin më të lartë të vrasjeve në masë në botë. E drejta e amerikanëve për të poseduar armë, e garantuar me kushtetutë, është kthyer shpesh herë në objekt debatesh, sa emocionale edhe politike.

Neni me 27 fjalë në këndvështrimin e kritikëve ka çuar në krijimin e një kulture ku qytetarët në Amerikë vrasin bashkëqytetarët më shumë se në çdo vend tjetër të botës. Sipas të dhënave të Arkivës së Krimeve me Armë, vetëm këtë vit në atë që njihet si toka e premtuar janë vrarë 1.800 persona.

Por në tërësi janë kryesisht masakrat ato që kanë ndezur debatin për kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara, si ajo e një dite më parë në një shkollë të Floridës. Numri i armëve në duart e qytetarëve civilë amerikanë vlerësohet rreth 310 milionë, sipas një raporti të vitit 2009 të Institutit të Drejtësisë Kombëtare.

Nga përllogaritjet për 8 vitet e fundit, shifra në fjalë dyshohet të jetë rritur në 650 milionë armë. Në këtë aspekt, Amerika lë pas edhe Indinë, që është vendi i dytë me armëmbajtjen më të lartë, por që llogaritet në 46 milionë. Edhe Jemeni, vendi tjetër i dytë me numrin më të lartë të armëve në duart e civilëve, ndodhet shumë larg Shteteve të Bashkuara. Amerikanët janë vendi me numrin më të lartë të armëve për banor, me 4 persona në 10 që deklarojnë se ose kanë një armë personale, ose jetojnë në një shtëpi me armë.

Sipas të dhënave, 48 për qind e amerikanëve janë rritur në një shtëpi me armë, ndërsa 66 për qind zotërojnë armë zjarri të llojeve të ndryshme. “Ndaj, kur vjen puna tek vrasjet në masë, Shtetet e Bashkuara janë një anomali më vete”, shkruan CNN. Në Shkurt të vitit 2017, presidenti Donald Trump firmosi një masë që shfuqizonte atë të parardhësit të tij Barack Obama, që parashikonte mes të tjerash moslejimin e armëve në duart e personave me probleme mendore./abcnews.al