Shansi i demokratëve, i ndarë mes financave dhe tendencës anti-shtet

schedule23:29 - 5 Nëntor, 2018

schedule 23:29 - 5 Nëntor, 2018

Pak orë i ndajnë amerikanët nga hapja e qendrave të votimit për zgjedhjet e mesit të mandatit. Beteja është e ndarë mes republikanëve të presidentit Trump që kërkojnë riafirmimin dhe demokratëve që synojnë revanshin. Të dhënat e fundit favorizojnë të majtën, nisur nga tendenca anti-shtet e elektoratit amerikan.

Momenti erdhi. Pas debateve, sondazheve, fushatës disamujore dhe spekulimeve pa fund, zgjedhjet e gjysmë mandatit në Shtetet e Bashkuara ndodhen pak orë larg. Në disa shtete, votimet kanë filluar prej javësh dhe pjesëmarrja ka tejkaluar kuotat e regjistruara më parë.

Në këtë pikë, demokratët kanë një optimizëm të moderuar sa u takon shanseve për të marrë nën kontroll pushtetin legjislativ. Kongresmenia Nensi Pelozi e kaloi disi cakun kur në shtetin e saj deklaroi se demokratët do ta fitojnë betejën për Dhomën e Përfaqësuesve.

Një rezultat i tillë do të kishte pasoja të menjëhershme dhe drastike për presidentin Donald Trump dhe kapacitetet e tij për të avancuar axhendën politike. Sipas analizës së korrespondentit të BBC, Enthoni Zurker, gjithçka në këtë proces e lëvizin paratë.

Kuotat e parave kesh që derdhen për kandidatët, partitë apo grupet e pavarura janë tregues i muskujve elektoralë për të realizuar publicitet, organizime dhe natyrisht për të nxitur qytetarët të dalin në votime. Dhe në 25 vitet e fundit, mbledhja e fondeve në prag zgjedhjesh ka qenë një nga karakteristikat kryesore të proceseve elektorale në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1994, donacionet individuale, që janë të kufizuara me ligj, shkuan në favor të republikanëve, të cilët morën nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve, për herë të parë që prej vitit 1949. Ndërkohë, këtë vit, shifrat kanë shkuar në favor të demokratëve, me 649 milionë dollarë kundër 312 milionë të republikanëve. Sidoqoftë, për republikanët situata nuk paraqitet edhe aq e zymtë.

Sipas analizës së Zurker, ata kanë donatorë të shumtë që i kanë xhepat të thellë dhe që derdhin paratë e tyre për shpenzime pa iu dridhur dora. Ndaj, në zonat elektorale kyçe, Partia Republikane lundron në para. Por kur bëhet fjalë për donatorë të vegjël, atëherë shtiza e peshores rëndon qartë majtas. Megjithatë, ai financiar nuk është i vetmi aspekt i zgjedhjeve.

Zgjedhjet e gjysmë mandatit këtë herë janë edhe një test për presidentin në detyrë. Kur janë të pakënaqur me punën e presidentit, votuesit e nxjerrin inatin ndaj partisë së tij. Ndërsa kur kreu i shtetit ka bërë një punë të mirë, atëherë partia shpërblehet, ose, më e pakta, nuk ndëshkohet rëndë.

Një sondazh i Gallup për aprovimin e figurës së presidentit në 60 vitet e fundit tregon se këtë herë tendenca do të ndryshojë. Mbështetja për Donald Trump ka qenë e qëndrueshme, nëse merret parasysh zhurma e aktivitetit të tij në 1 vit e gjysmë. Në fund të Gushtit, mbështetja për presidentin ishte 40 për qind dhe në vigjilje të zgjedhjeve të gjysmë mandatit ajo është sërish 40 për qind. Sipas BBC, kjo nuk është një shenjë e mirë për republikanët.

Që nga marrja e detyrës, kreu i shtetit ka sfiduar gravitetin politik, por këtë herë kjo rënie e popullaritetit të tij rrezikon ta fundosë të djathtën ditën e martë. Trump dhe republikanët e tij e kanë vënë theksin tek shifrat pozitive ekonomike, të cilat sipas tyre janë arsyeja përse ata duhet të vijojnë kontrollin legjislativ edhe për 2 vjet të tjera në Uashington.

Por nëse u referohemi precedentëve historikë, ekonomia në rritje nuk ka qenë kurrë një garanci për suksesin e partisë së presidentit. Në vitin 1994, kur demokratët dorëzuan Kongresin, ekonomia po rritej me mbi 4 për qind, edhe pse papunësia ishte pak më e lartë se 5.8 për qind që është aktualisht. GDP-ja në tremujorin e fundit në Shtetet e Bashkuara ka rënë paksa, pasi preku nivelin 4.2 për qind në tremujorin e dytë.

Kombinuar me papunësinë, që është në nivelin më të ulët në 49 vjet, shifrat janë pa dyshim pozitive. Gjatë fushatës, presidenti Trump u fokusua më shumë tek kontrolli i emigracionit se sa tek ekonomia, sikurse do të donin disa republikanë. Dhe nëse i referohemi historisë, presidenti mund të ketë bërë mirë të këtë hedhur sytë në një çështje tjetër, pasi ekonomia nuk është garanci për sukses.

Por krahas ekonomisë, sondazheve dhe analizave, elementi kyç në një garë elektorale janë vetë kandidatët. Janë pikërisht ata që kanë emrin e tyre në fletët e votimit dhe janë sërish ata që mund të mbeten të papunë nëse batica elektorale shkon kundër tyre. Përballë prespektivës së një turpi elektoral, shumë politikanë zgjedhin tërheqjen e parakohshme.

Por kjo zor se ndikon shumë tek rezultatet. Tërheqja e disa figurave nuk e shpëtoi partinë e Barak Obama nga kasaphana zgjedhore e vitit 2010. Këtë herë, kryetarë të shumtë të komisioneve parlamentare dhe vetë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Pol Rajan iu bashkuan tendencës së dorëheqjes, një sinjal ky se republikanët mund të mos jenë mazhorancë edhe për shumë kohë. Gjithashtu, kjo mund të jetë një tjetër tregues i prirjeve anti-pushtet të elektoratit, edhe për faktin se ka më shumë republikanë që garojnë për rizgjedhjen se ç’ka demokratë dhe kjo mund të sjellë një ndërrim pushtetesh në Uashington./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!