Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vlerësoi rolin e bashkive në përmirësimin e shërbimeve turistike, duke theksuar se ato po luajnë një rol proaktiv në menaxhimin e sezonit veror.
Duke komentuar protestat që kanë shoqëruar sezonin turistik, Demo pranoi se ato kanë krijuar një farë paqartësie, por theksoi se në tërësi sezoni pritet të jetë i suksesshëm.
Ai tha se është ende herët që protestat apo reagime të caktuara të konsiderohen një shqetësim sistemik, megjithëse kanë dhënë sinjalet e para dhe në disa raste janë regjistruar edhe kancelime.
“Bashkitë po luajnë një rol proaktiv. Bashkitë kanë të drejtë të përcaktojnë çmimin tavan dhe kemi një rritje të cilësisë së shërbimit. Vendosja e elementeve të nevojshëm, mirëmbajtja e plazheve – ne shohim që në muajt e parë të vitit numri i turistëve është më i madh. Kemi bashki që kanë një rritje mbi 20 për qind dhe jam i bindur se do të kemi numra shumë premtues.
Zhvillimet e fundit patjetër që krijojnë një lloj paqartësie, por në tërësi do të jetë një sezon i suksesshëm. Është akoma shpejt ta kthejmë protestën në shqetësim sistemik, mirëpo kanë dhënë sinjalet e para, ku kanë pasur edhe kancelime të caktuara.
Javët që vijnë do të faktojnë se jemi një vend që i mirëpresim turistët dhe standardet që jemi duke plotësuar ne, por edhe subjektet private po i përmirësojnë vit pas viti.
Duhet të bëjmë shumë kujdes që, edhe nëse kemi një qëllim të mirë, në mënyrë absolute nuk duhet ta trajtojmë si një kauzë që krijon simptoma për ekonominë.”



