Serbia kërkon me insistim që të përfshihet në hetimet për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviç. Beogradi madje akuzon Prishtinën se po tenton të fshehë të dhëna.
Serbia ka marrë mbështetjen e Rusisë për të qenë pjesë e hetimeve në rastin e atentatit ndaj Oliver Ivanoviç.
Presidenti Aleksandër Vuçiç është takuar me ambasadorin rus pas vizitës në Kosovë duke vlerësuar vizitën e presidentit serb si një akt të guximshëm për unitetin e popullit.
Serbia vazhdon të akuzojë Kosovën për mosbashkëpunim dhe dëshirë për të fshehur hetimet.
Dushan Janjic, i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, thotë se Vuçiç nga Kosova ka çuar porosi që do të jenë bazë për bisedime më vonë, por qytetarët nuk kanë shumë besim as tek Beogradi e as Prishtina. Hetimet duhet të jenë profesionale.
Dushan Janjiç, Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike: “Duhet inkuadruar FBI-ja dhe Kosova duhet të dalë me rezultate të hetimeve serioze duke gjetur kanale bashkëpunimi dhe kontakti edhe me Vuçiç. Nëse hetimet e para tregojnë rezultat të dobët, ato do të diskreditohen dhe kjo mund të sjellë deri tek tensionet etnike dhe ngritja e barrikadave. Kosova ka rastin të tregoj që është shtet në praktikë dhe jo publikisht në një rast të tillë”.
Deputeti Milovan Dreçun thotë se Beogradi ka dyshime që autoritetet kosovare nuk duan të zbulojnë të gjitha faktet. Sipas tij, Serbia nuk e kërkon të udheq me hetimet, por të jetë pjesë me ekspertët e saj.
Milovan Dreçun, Këshilli për Kosovën dhe Metohinë, Kuvendi i Serbisë: “Ne duam ta vazhdojmë dialogun, por është e vështirë kur ndodh një atentat brutal pa e ditur cfarë motivesh e përgjegjësie ka. Vizita e Vuçiç ka qenë e karakterit edhe parandalues që të dekurajoj ata që kanë patur ide që këtë rast ta shfrytëzojnë për destabilitet të mundshëm dhe Vuçiç e arriti këtë”.
Kritika në adresë të Kosovës ka çuar edhe ministri i Brendshëm serb. Por, ka patur edhe kritika se Serbia është duke shfrytëzuar këtë rast për fushatë politike.
Idro Seferi, Gazetar i ABC News