Serbi-Maqedoni e Veriut, dy testet e forta ballkanike për Bashkimin Evropian

schedule11:06 - 22 Korrik, 2022

schedule 11:06 - 22 Korrik, 2022

Nga William Nattrass “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Një nga premisat themelore të Bashkimit Evropian, është se integrimi ekonomik do të zbusë rivalitetet midis kombeve që për shekuj kanë shkaktuar luftëra të përgjakshme në kontinent. Në Ballkan, kjo qasje përballet me atë që mund të jetë testi më i vështirë i unionit.

Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj. Në vitin 2012, BE-ja i dha zyrtarisht statusin e kandidatit. Por tani Kosova është bërë pengesë për procesin. Parlamenti Evropian miratoi një raport më 6 korrik, duke kërkuar që Beogradi ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur, si një “parakusht për anëtarësimin në BE”, pa marrë parasysh faktin që 5 anëtarë të unionit – Qipro, Greqia, Hungaria, Sllovakia dhe Spanja, që kanë mosmarrëveshjet e tyre territoriale – refuzojnë ta bëjnë këtë.

Një sondazh i IPSOS pak ditë më vonë, zbuloi se vetëm 35 për qind e serbëve e mbështesin anëtarësimin në BE, që më parë kishte një mbështetje të qëndrueshme të shumicës. I pyetur nëse vendi i tij do ta pranonte kërkesën e Brukselit, presidenti Aleksandar Vucic dha një përgjigje plot sarkazëm. “U them plot mirësjellje:Jo, ne nuk do ta bëjmë këtë!”- tha ai.

Vucic theksoi se e ka “shteruar rezervuarin e përgjigjeve të mira” për pavarësinë e Kosovës, që sipas tij mbetet ende një plagë e hapur pas shkëputjes së saj nga Serbia në vitin 2008.

Por duke e orientuar Serbinë kaq shumë drejt BE-së gjatë viteve të fundit, ai shtoi se do t’i shkaktonte vendit një tronditje të madhe ekonomike, nëse do të tërhiqej nga ky proces pikërisht tani.

Ndërkohë, iu lut serbëve të tjerë që t’i “shohin gjërat në mënyrë racionale” në lidhje me kërkesat e reja të BE-së për Kosovën. “A mund të bëjmë pa Evropën dhe investimet e saj? Duhet të jemi mjaftueshëm të arsyeshëm, në mënyrë që të mos dominojnë emocionet tona”-tha ai.

Fushata bombarduese e NATOs gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, e la çështjen e Kosovës të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me pakënaqësinë e serbëve kundër Perëndimit.

Nga ana e saj, Rusia, ka refuzuar gjithmonë të njohë shtetin e shkëputur, ashtu siç kanë bërë shtetet e BE-së, që kanë mosmarrëveshjet e tyre territoriale. Por për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin që në fundin e shkurtit, udhëheqësit e bllokut e ndiejnë përgjegjësinë për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë mosmarrëveshje.

Ata besojnë se mund ta arrijnë këtë përmes bindjes me përfitimet ekonomike. BE-ja është investitori më i madh dhe partneri tregtar më i rëndësishëm i Beogradit. Që kur u bë një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Serbia ka qenë përfituese e miliardave euro në kredi dhe grante.

Ndikimi politik dhe kulturor i Rusisë mbi këtë vend mbetet i fortë, por kur bëhet fjalë për ndikimin ekonomik, Bashkimi Evropian nuk ka konkurrencë. Komentet e Vucic bënë të qartë një gjë:Për Serbinë, anëtarësimi në BE do të nënkuptonte sakrifikimin e identitetit kombëtar, në këmbim të parave.

Mitet kombëtare shekullore, gjallojnë paralelisht me mosmarrëveshjen e sotme mbi Kosovën, që është në qendër të një folklori të krishterë, të rrethuar nga temat e martirizimit dhe shtypjes serbe. Në fakt, shumë serbë do ta shihnin si një tradhti anëtarësimin në BE me këto kushte.

I vënë në një pozitë të vështirë nga kërkesat e BE-së, Vucic e ka sulmuar Kosovën, duke pretenduar se ky vend po planifikon t’i dëbojë serbët nga rajoni verior. Ministri serb i Mbrojtjes, bëri bujë kohët e fundit, kur mbrojti publikisht idenë nacionaliste të krijimit të një “bote serbe” që përfshin “bashkimin e të gjithë serbëve” në një shtet.

Serbia nuk është i vetmi vend, në të cilin anëtarësimi në BE po ndez konfliktet e vjetra. Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Maqedoninë e Veriut për propozimin e BE-së për të zbutur tensionet etnokulturore me Bullgarinë, një vend fqinj dhe anëtar i unionit.

Për vite me radhë Bullgaria i ka bllokuar negociatat e anëtarësimit, për shkak të refuzimit të saj për të pranuar ekzistencën e një historie dhe gjuhe të veçantë maqedonase. Propozimi i Bashkimi Evropian për të dalë nga ky ngërç, i plotëson dëshirat e bullgarëve, duke e detyruar Maqedoninë e Veriut të rishkruajë kushtetutën e saj, për të përmendur në të edhe pakicën bullgare.

Propozimi, i cilësuar fillimisht si “i papranueshëm” nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, u pranua më pas nga qeveria, dhe u miratua nga Parlamenti të shtunën e kaluar, edhe pse miratimi i ndryshimit të kërkuar në Kushtetutë mund të jetë një pengesë e madhe.

Një ish-Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, e përshkroi rrugëtimin e vendit drejt BE-së si “plotësisht të ndërvarur nga përmbushja e kërkesave bullgare”. Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës ankohet se “bullgarizimi i shoqërisë sonë, është shndërruar në kushtin kryesor për hyrjen tonë në BE”.

Disa ekspertë të politikës ballkanike, thonë se politikanët duhet t’ua lënë akademikëve këto mosmarrëveshje në dukje misterioze, dhe në vend të tyre të përqendrohen tek “shqetësimet më praktike” të anëtarësimit në BE dhe tek përfitimet e tij.

Por argumente të tilla e humbasin thelbin e situatës. Siç po e tregojnë edhe protestat demonstratat kundër marrëveshjes së propozuar me Bullgarinë, shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut do të hiqnin dorë me kënaqësi nga paratë e BE-së, nëse kjo kushtëzohet me shkëmbimin e ndjenjës së legjitimitetit të tyre kombëtar.

Si në Serbi ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, zgjerimi i BE-së bazohet tek besimi se argumentet ekonomike, duhet ta tejkalojnë entuziazmin nacionalist. Bashkimi Evropian beson se e ka për detyrë që t’i zgjidhë këto konflikte të gjata, por përfundimisht zgjidhjet duhet të gjenden në Ballkan, dhe jo në Bruksel. /abcnews.al