Sekuestrohen 1.5 milionë euro llogari bankare

schedule10:45 / 01/08/2019

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Investimi”, ku ka sekuestruar 1.500.000 euro llogari bankare. Paratë i përkasin një ish-punonjësi të administratës shtetërore, identiteti i të cilit është Ferdinand Shehu. Sipas policisë në vitet 2006-2011, ai ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizmit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

“Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, ish-punonjësi i administratës ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. Policia nuk jep detaje të tjera me arsyetimin se hetimet janë në vijim.

Ai reagoi për ABC News, ku u shpreh se ndodhet në Itali me pushime bashkë me familjen. Ndërkohë thekson më tej se do të ngrejë padi ndaj prokurorisë dhe policisë sepse nuk është thirrur asnjëherë në lidhje me këtë hetim.

“Jam në Itali bashkë me familjen, më kanë bllokuar çdo cent në llogarinë bankare. Kam 8 vite në Shqipëri, pse nuk është bërë asnjë hetim ndaj meje? Çdo lëvizje e kam bërë nëpërmjet bankës. Shteti kishte plot kohë për të më hetuar, por gjeti momentin kur ika në Itali me pushime. Do bëj padi ndaj prokurorisë dhe policisë, pasi nuk më kanë thirrur asnjëherë për këtë hetim”, është shprehur Shehu./abcnews.al

schedule10:45 / 01/08/2019