Në një nga historitë më pak të njohura të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, emri i një dukatasi lidhet ngushtë me një prej misioneve të fshehta britanike në vendin tonë. Ai ishte Murat Ferruni, njeriu që sipas kujtimeve të majorit britanik Anthony Quayle, u bë një prej mbështetësve më të rëndësishëm të misionit në zonën e Dukatit dhe Karaburunit.
Quayle dhe ekipi i tij duhej të fshiheshin në shpella dhe pika të izoluara të bregdetit, larg syve të forcave gjermane. Në këtë terren të vështirë, Murati ishte udhërrëfyesi, lidhja me vendasit dhe njeriu që siguronte ushqime e informacione. Ai njihte çdo shteg të zonës dhe lëvizte kryesisht natën, nëpër terrenin e thyer të Karaburunit dhe Llogorasë.
Udhëtimet ishin të rrezikshme dhe shpesh kryheshin në kushte të vështira atmosferike, me stuhi, shi e borë. Por për britanikët, njohja që Murati kishte me territorin ishte jetike për mbijetesën e tyre. Ai organizonte edhe rojet lokale rreth zonave ku fshiheshin britanikët dhe ndërmjetësonte me banorët e krerët lokalë. Në një kohë kur çdo dyshim mund të sillte arrestimin ose vrasjen e anëtarëve të misionit, besueshmëria e tij ishte një garanci.
Një tjetër detyrë e rëndësishme ishte fshehja dhe evakuimi i ushtarëve aleatë të plagosur. Njerëzit shpërndaheshin në pika të sigurta dhe pritej momenti i përshtatshëm për transportimin e tyre drejt bregdetit. Pikërisht këto episode do të mbeteshin në kujtesën e Anthony Quayle edhe shumë vite pas luftës. Përvojat e tij në Shqipëri u përfshinë në librin “Eight Hours from England”, ku ai riktheu kujtimet nga misionet e tij gjatë luftës.
Në këtë rrëfim, Murat Ferruni shfaqet si një figurë e rëndësishme e aventurës së misionit britanik në Shqipëri. Por historia e Muratit nuk përfundon me largimin e britanikëve. Pas luftës, lidhjet e tij me britanikët u kthyen në një burim dyshimi për familjen. Në vitet e para të regjimit komunist, bashkëpunimi me misionet aleate mund të interpretohej si lidhje me “agjenturën imperialiste”.
Kjo bëri që familja të përballej me survejim dhe dyshime nga strukturat e Sigurimit të Shtetit.
Çdo kontakt, lëvizje apo lidhje e dyshuar mund të regjistrohej në dosjet operative. Dhe kështu, njeriu që gjatë luftës kishte ndihmuar aleatët, pas luftës mund të shihej si një person me rrezik politik. Ndërkohë, emri i Anthony Quayle do të bëhej i njohur në të gjithë botën. Pas luftës ai ndërtoi një karrierë të madhe si aktor dhe regjisor britanik dhe u nominua edhe për çmimin Oscar.
Por përpara skenës dhe kinemasë ishte ushtar dhe pjesëtar i misioneve të fshehta britanike.
Shërbimi i tij në Shqipëri do të mbetej një nga kapitujt më të fortë të jetës së tij. Dhe në këtë kapitull, një shqiptar nga Dukati zë një vend të veçantë. Murat Ferruni – udhërrëfyesi, ndërmjetësi dhe njeriu i besuar që ndihmoi britanikët të mbijetonin në një nga zonat më të rrezikshme të Shqipërisë.
Sot, historia e tij kërkon të rindërtohet përmes dëshmive familjare, librit të Quayle dhe mbi të gjitha përmes arkivave britanike e shqiptare. Sepse pas më shumë se 80 vitesh, ende mbeten pyetje: çfarë tjetër fshihet në dosjet britanike për Murat Ferrunin dhe misionin sekret në Karaburun?/abcnews.al

