Puna e përditshmërisë u kthye në tragjedi për katër punonjës të Bashkisë së Tropojës.
Një 59-vjeçar humbi jetën dhe tre kolegët e tij mbetën të plagosur pasi u goditën nga rryma elektrike, teksa po punonin për vendosjen e shtyllave të ndriçimit në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan.
Ngjarja ndodhi paraditen e së martës dhe sipas të dhënave paraprake të Policisë, katër punonjësit po vendosnin një shtyllë në bazament, por për shkak të peshës së saj dyshohet se kanë humbur ekuilibrin. Shtylla ka prekur telat e një linje ekzistuese të energjisë elektrike dhe rryma është përcjellë te punonjësit.
Si pasojë, 59-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa tre kolegët e tij përkatësisht të moshave 47, 40 dhe 21 vjeç janë transportuar në Spitalin e Bajram Currit, ku po marrin trajtim mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Punonjësit po kryenin transportin, shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave, në përputhje me planin e punës të datës 4 shtator, të Bashkisë së Tropojës, përmes Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Nga bashkia thuhet se shtyllat po vendoseshin për ndriçim me panele fotovoltaike dhe nuk lidhen me rrjetin ekzistues të energjisë elektrike. Megjithatë, gjatë vendosjes, njëra prej tyre dyshohet se ka prekur përcjellësit e një linje të tensionit të mesëm që kalon në zonë.
Menjëherë pas ngjarjes, Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.


