Sazani në flakë, ishulli i mbyllur për turistët, rrezikohet antena e Radarëve

schedule11:14 - 6 Qershor, 2022

schedule 11:14 - 6 Qershor, 2022

Vijon të jetë kritike situata në ishullin e Sazanit ku po digjen sipërfaqe të konsiderueshme me pemë dhe shkurre. Zjarri është aktiv prej tre ditësh pasi terreni e bën të vështirë lokalizimin e flakëve.

Gazetari i Abc, Elton Nika në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Abc Live” raporton se sot janë shtuar forcat në terren.

Në dy ditët e mëparshme është punuar me Forcat e Armatosura, ndërsa sot janë dërguar drejt Sazanit edhe zjarrfikësit e Vlorës. Një nga problematikat e mëdha mbetet terreni i vështirë.

Referuar burimeve të Abc një nga vatrat më të rrezikshme është lokalizuar, por situata mbetet kritike.

Lexo edhe: Sazani prej 3 ditësh “nën pushtetin” e flakëve, Peleshi: Situata kritike, shtohet numri i efektivëve në terren

Situata e vështirë ka qenë edhe gjatë natës, ndërsa gjatë mëngjesit ka rinisur sërish puna për të shuar flakët.

Për momentin deri në vënien në kontroll të flakëve ishulli i Sazanit do të qëndrojë i mbyllur, nuk do të lejohen turistë për ta vizituar. Aktualisht nuk ka një informacion zyrtar se cili ka qenë shkaku i zjarrit, por dyshohet se është vendosur aksidentalisht nga turistët në ditët e mëparshme.

Në zonë ka municione qoftë nga ’97, qoftë kur kanë qenë të dislokuara forca ushtarake disa vite më parë dhe kjo përbën rrezik pasi mund të shpërthejnë.

Antena e radarëve në ishullin e Sazanit po monitorohet me kujdes, për të mos lejuar që flakët të shkojnë në drejtim të saj dhe për të krijuar probleme të tjera.

Nga ajri nuk ka pasur ndërhyrje, pro është punuar vetëm me mjete rrethanore./abcnews.al/