Britania ka vendosur sanksione ndaj dy instituteve kërkimore ruse dhe zyrtarëve të lartë të tyre, duke i akuzuar për përfshirje në programin e armëve kimike të Moskës dhe në zhvillimin e toksinave të përdorura në helmimin e aktivistit të opozitës ruse, Alexei Navalny.
Masat e reja synojnë të ekspozojnë dhe pengojnë përdorimin e armëve kimike nga Rusia. Londra pretendon se institucionet dhe individët e sanksionuar kanë pasur rol në zhvillimin e agjentëve kimikë Novichok dhe Epibatidine. Novichok është një agjent nervor i nivelit ushtarak, i zhvilluar gjatë periudhës sovjetike, ndërsa Epibatidina është një toksinë e marrë nga bretkosat helmuese.
Në vitin 2020, Alexei Navalny u sëmur rëndë gjatë një fluturimi në Siberi. Laboratorët perëndimorë arritën në përfundimin se ai ishte helmuar me Novichok. Navalny vdiq në një burg rus në vitin 2024, ndërsa Britania dhe disa aleatë evropianë kanë deklaruar se ai ishte helmuar me Epibatidinë. Moska ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në helmimin apo vdekjen e tij.
Londra përmendi gjithashtu rastin e Salisbury në vitin 2018, ku ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u helmuan me Novichok. Ata mbijetuan, por një civil britanik, Daën Sturgess, humbi jetën pasi ra në kontakt me substancën.
Ambasada ruse në Londër i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e reja, duke i quajtur “shpifje” dhe duke deklaruar se ato përdoren për të krijuar një perceptim të rremë të kërcënimit rus dhe për të justifikuar përballjen me Moskën



