Sane: Ky që jam sot falë Guardiolës, nuk ka trajner më të fiksuar

schedule08:34 - 23 Janar, 2021

schedule 08:34 - 23 Janar, 2021

Leroy Sane u aktivizua për 4 sezone me Manchester City (2016-2020), aty ku shënoi 39 gola në 135 ndeshje të luajtura. Verën e vitit të kaluar u transferua te Bayern Munchen. Klubi bavarez insistoi gjatë për shërbimet e lojtarit, për të cilin pagoi 45 milion euro.

Disa shkëndija i ka dhënë, por sulmuesi i majtë gjerman duhet të bëjë më shumë te kampionët e Gjermanisë dhe Evropës. 25-vjeçari ka kujtuar kohën e kaluar në Premier në një prononcim për Der Spiegel, duke u ndalur kryesisht te Pep Guardiola, ish-trajneri.

Unë dhe Pep kishim një raport shumë të shkëlqyer. E kam njohur edhe familjen e tij, pasi jetonim afër njëri-tjetrit. Nuk më kontrollonte kurrë nëse ndodhesha në shtëpi apo jo. Gjithmonë kam menduar se është fantastike të jetosh afër trajnerit dhe shokëve të skuadrës (Gundogan dhe David Silva).

Guardiola më solli në një nivel të lartë si futbollist. Veçanërisht duke punuar me detajet e vogla: me cilën këmbë duhet ta merrja topin apo në çfarë pozicioni të fushës duhet të qëndroja kur sulmoja. Më shpjegonte se kush ishte mënyra më e mirë për të hapur lojën dhe shumë gjëra të tjera.

E bëjnë edhe trajnerë të tjerë, por Pep e përsëriste çdo ditë, nuk lodhej fare. Ai nuk ndalet derisa të bindet që je përmirësuar. Pastaj ia del të gjejë gjithmonë ndonjë gjë të re për të punuar. Nëse nuk do të transferohesha te City, nuk do e kisha arritur kurrë nivelin që kam“, thekson lojtari i kombëtares gjermane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!