Rusia ka urdhëruar ndalimin e aplikacionit Telegram që shërben për dërgimin e mesazheve në internet. Ky vendim erdhi pasi kompania refuzoi t’i jepte qeverisë informacione private për përdoruesit.
Një gjykatë në Moskë ka vendosur bllokimin e aplikacionit në smartfonë, “Telegram”, që shërben për dërgimin e mesazheve me anë të internetit. Kjo gjykatë veproi me kërkesë të Roskomnadzor – organi rus i kontrollimit të mediave – që ka kërkuar ndalimin e aktivitetit të programit pasi refuzoi të shpërndajë me qeverinë e Kremlinit informacione private të përdoruesve.
Aplikacioni i dërgimit të mesazheve do të qëndrojë i bllokuar në Rusi derisa të merren kodet sekrete, njofton gjykata ruse. Ndërsa avokatët që mbrojnë Telegram kanë njoftuar se do të apelojnë kundër vendimit.
Në shtator të 2017, shërbimet ruse të sigurisë, FSB, kërkuan kodet, thotë krijuesi i Telegramit, shtetasi rus Pavel Durov, duke hapur një proces gjyqësor formal në të cilin kërkesa ishte refuzuar. Durov nënvizon se kërkesa e inteligjencës ruse “ishte teknikisht e pamundur të pranohej” pasi shkel të drejtat e qytetarëve të garantuara në Kushtetutën Ruse për privatësinë e korrespondencës. /abcnews.al