Ruçi vizitë zyrtare në SHBA, takon kongresmenë e senatorë

schedule15:50 - 7 Dhjetor, 2017

schedule 15:50 - 7 Dhjetor, 2017

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në SHBA, me ftesë të kongresmenit Robert Pittinger. Ky i fundit, me cilësinë e zv/kryetarit të N/komisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm, zhvilloi një takim me kryeparlamentarin, ku shprehu gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. “Të dyja vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime, të njëjtat vlera dhe pikëpamje, si dhe të njëjtat shqetësime. SHBA duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt, që gëzon paqe e begati”, u shpreh Pittinger. Nga ana e tij, Ruçi theksoi se “vizioni për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me SHBA”. Kryeparlamentari falënderoi Shtetet e Bashkuara për rolin në miratimin e reformës në drejtësi. “Falë kësaj reforme, që u përgatit dhe u miratua me mbështetjen tuaj, ne do të kemi një sistem të besueshëm drejtësie”, u shpreh Ruçi. Në këtë vizitë – ku u takua edhe me disa senatore – ai shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe deputeti Anastas Angjeli./abcnews.al