Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit Luis Rubiales e pranoi në gjykatë se ndoshta nuk ishte treguar profesionist gjatë ceremonisë së dhënies së trofeut të Kupës së Botës 2023 për femra.
Por ai mohoi akuzat se kishte sulmuar seksualisht futbollisten Jenni Hermoso-s dhe në vazhdim i kishte bërë asaj presion që të tërhiqte akuzat. 47-vjeçari akuzohet për sulm seksual për puthjen ndaj Hermoso-s dhe më pas përpjekjen për t’i bërë presion asaj, me ndihmën e tre ish-zyrtarëve të tjerë të federates.
Kjo ngjarje u pa nga i gjithë stadiumi në Sidnej, si edhe miliona shikues në televizione, e solli më pas lëvizjen “Me Too” nga sportistet spanjolle, qëllimi i të cilës ishte që të luftonin seksizmin në sport.
“Kur një situatë si kjo e jashtëzakonshme ndodh…kjo ka ndodhur me shokët e ekipit pas shënimit të një goli. Kujtoj kur luaja për Levanten dhe fituam në ‘Bernabeu’ e ishte një situatë e jashtëzakonshme dhe e bëmë! Ishte gabim, pasi unë isha në pozitën e presidentit të federatës spanjolle të futbollit! E djallosa!”, tha Rubiales në gjykatë.
Prokuroria kërkon që Rubiales të dënohet me 2.5 vite heqje lirire.
Ligji spanjoll përcakton se nëse një person dënohet me më pak se sa dy vite burg, atëherë shmang vuajtjen e dënimit në qeli, duke paguar dëmshpërblim, por vetëm nëse nuk ka dënime të mëparshme.
Prokuroria po heton edhe ish-trajnerin e ekipit kombëtar të femrave Jorge Vilda, ish-drejtorin sportiv të federatës Albert Luque dhe ish-drejtorin e marketingut Ruben Rivera. Të tre i kanë mohuar akuzat.