Rrogozhinë, bagëtitë kalojnë përmes një procesi të rrezikshëm për konsumatorët

schedule18:56 - 18 Mars, 2018

schedule 18:56 - 18 Mars, 2018

Tregu i bagëtive në Rrogozhinë funksionon në kushte shumë të rënda dhe ndoshta duhet të jetë një nga tregjet e vetme në Europë në këtë gjendje. ABC News realizoi një reportazh, aty ku bëhet tregtia e kafshëve dhe e mishit.

Nuk ka zbardhur akoma, por këtu në Rrogozhinë, tregu është populluar me tregtarët e gjësë së gjallë.
Ora 5 e mëngjesit dhe kanë nisur shit-blerjet e bagëtive.

Prej 25 vitesh, rituali përsëritet një herë në javë.

Asgjë nuk ka ndryshuar.

Një fushë e hapur, buzë lumit Shkumbin, poshtë urës së dikurshme të trenit. Territor i mbuluar nga balta dhe mbetjet e bagëtive që nuk pastrohen asnjëherë.

Një grua po mbledh copa plasmasi dhe kartona. Do t’i vendosë mbi baltë. Këtu ajo do të shesë.

Shumë karroca, makina të vogla dhe kamione transportojnë kafshët. Ka bagëti të pamatrikulluara. Kontrolli veteriner mungon.

Tregu ndryshe rolit të tij të njohur konsiderohet laborator i përhapjes së sëmundjeve nga kafshët tek njeriu.

Minimalisht, tregu duhet të jetë i rrethuar dhe i shtruar me çimento për t’u bërë pastrimi pas aktivitetit tregtar.

Prezenca e veterinerëve të bashkisë duhet të jetë e domosdoshme, kurse AKU ka dy vjet që nuk duket këtej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!