Në Rrugën e Kombit, segmenti Fushë Dukagjin- Kolsh cilësohet më i rrezikshmi dhe në pesë vjet kanë humbur jetën 14 persona. Aksidentet kryesisht janë bërë me makinat e tonazhit të rëndë. Po cilat janë problemet në këtë rrugë sipas inxhinierëve?
Luleve që kujtojnë pesë viktimat në aksidentet e të njëjtin vend, do ju shtohet edhe një tufë tjetër nga familja e Nikoll Gjonit.
42 vjeçari humbi jetën kur trajleri me të cilin po udhëtonte u përmbys këtu në Rrugën e Kombit, pranë fshatit Kolsh në Kukës.
Inxhinier Feti Gjici ishte projektuesi i njërit prej varianteve të autostradës, por që nuk u përzgjodh fitues.
Njohës i mirë i terrenit tregon mangësitë dhe problemet teknike të rrugës, të cilat bëhen shkak për aksidente me humbje jete.
“Nga Fushë Dukagjini e deri te tuneli janë 22 kthesa, një kthesë duhet në një km, sepse rrezja është në të dyja anët”
Në një distancë 1.7 kilometër të segmentit janë pesë kthesa të rrezikshme.
Mesatarja e rrezes së tyre nuk i kalon 100 metra nga 400 që është norma e lejuar.
Pjerrësia e rrugës është mbi çdo lloj norme të lejuar në autostradë. Në këtë distancë prej 1.7 km kuota nga pika fundore e segmentit deri në pikën më të lartë në Fushë Dukagjin është rreth 130 metër.
“Nga pjerrësia e madhe dhe mosrespketimi i kthesave sforcohet makina, motori dhe nuk funksionon”.
Inxhinieri Feti Gjici thotë se ky problem nuk ka zgjidhje. Nuk mund të bëhet asnjë investim, por nëse ndonje ditë do mendohet për të shmangur rrezikun duhet zgjedhur varianti i segmentit në krahun tjetër të kodrës, ashtu siç ishte kërkuar nga grupi i inxhinierëve që mbrojtën atë variant.
“Duhet rikonstruksion i plotë ose të kalojë në variantin bazë që ka qenë”.
Aksidentet këtu janë bërë me mjetet e tonazhit të rëndë. Për shkak të ngarkesave dhe sforcimit të mjetit në zbritje humb funksionimi i sistemit të frenimit edhe kontrolli i drejtuesit mbi mjetin./abcnews.al
Gazetar i ABC News në Kukës: Bujar Muçmata