Nuk është pjesë e treshes së madhe, por askush nuk mund ta lerë pas dore.
Roma është jo vetëm skuadra e kryeqytetit të Italisë, por edhe e asaj qendre të banuar mbi 2700 vjeçare që ishte qendra e Perandorisë së famshme Romake, ndërsa në futbollin e Apenineve synon titullin e katërt në histori.
Nën drejtimin e trajnerit Xhampiero Gasperini dëshiron të përsërisë atë që u bë në 1942 me shqiptarin Naim Kryeziu si protagonist, në 1983 me Bruno Kontin e Falkaon apo në 2001 nën udhëheqjen e kapitenit Françesko Toti.
Fitorja 3-1 ndaj Xhenoas në Serinë A, bëri që skuadra verdhekuqe të jetë tani vetëm tri pikë larg kreut që mbahet nga Interi, e shumë pranë Milanit e Napolit.
Objektivi ndoshta ishte, por pakkush mendonte se Gasperini do të arrinte kaq shpejt që romanët të ishin kandidatë për titullin.
Në stadiumin “Olimpiko” shënuan Sule në 14’, Kone në 19’ dhe Ivën Ferguson në 31’.
Pra 3-0 që në pjesën e parë, e gjenovezët arritën vetë një rrjetë nderi tri minuta para fundit me autor sulmuesin Ehator.
Roma e ish-trajnerit të Atalantës është ndërkaq edhe një ekip pa kompromis.
Kjo sepse në 17 javë ka 11 fitore e gjashtë humbje, pra asnjë barazim.
Deri tani nuk I ka dalë keq, ndonëse do të duhen më shumë gola sepse ka realizuar vetëm 20, shumë më pak se Interi që ka 35, apo edhe se Milani, Napoli, Juventusi madje edhe sesa Bolonja.
/ abcnews.al /


