Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ka ndezur motorët e fushatës. Këtë të diel, ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në Sukth ku po prezantohet kandidati për kryetar të Bashkisë Durrës, Ardian Muka.
Gjatë fjalës së tij, lideri historik i demokratëve u shpreh se ambiciet e qeverisë, që sipas tij është shndërruar në një qytet betoni, tejkaluan çdo parashikim. Berisha përmendi portin, me projektin e të cilit sipas tij kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha për interesat e tyre, kërcënuan kafshatën e 12 mijë familjeve.
“Një qeverisje që së bashku me qeverinë vendore e shndërroi Durrësin në kryeqytetin e betonit të Shqipërisë. Në një qytet, që në njërën anë ke banorët e tij më të civilizuar, në anën tjetër ke bandat e qeverisë që punojnë kundër qytetarëve dhe për llogari të qeverisë.
Ambiciet e qeverisë për Durrësin tejkaluan çdo parashikim…Porti dhe qyteti janë si trupi me zemrën të lidhur me njëri-tjetrin, kurse kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, në një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë, duke kërcënuar kafshatën e 12 mijë familjeve, për ta shndërruar 800 mijë metra katrorë, në një zonë ndërtimesh. U tha për Omarin, po tani del për Edvinin dhe Lul Bravën, për larjen e parave të drogës.”
Kurse, kandidati i “Rithemelimit” për Durrësin në fjalën e tij u zotua se do të punojë për një bashki për durrsakët dhe jo, siç u shpreh ai, për koncesionet dhe kryeministrin Edi Rama. Për Bashkinë Durrës, Muka do të garojë me kandidatin e PD-së Luan Hoti dhe kandidaten e PS-së, Emirjana Sako, aktualisht kryetare në detyrë. /abcnews.al/