Ristani: Hapësira për kritikët është, statuti garanton garë të barabartë

schedule16:10 - 23 Prill, 2018

schedule 16:10 - 23 Prill, 2018

Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani mbron draft-statutin e miratuar të premten në Këshillin Kombëtar. Për rastin e dorëheqjes së kryetarit, Ristani thotë në një intervistë për ABC News, se kjo praktikë nuk ekziston në statute të partive simotra, por drafti parashikon mocionin e mosbesimit, si mekanizëm për kritikët.

Dorëheqja e kryetarit të partisë në rast humbje në zgjedhje, mbetet pika më e nxehtë e debateve për draft-statutin e PD që u miratua të premten nga Këshilli Kombëtar. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani sqaron për ABC News arsyet se përse kjo kërkesë e përsëritur e kritikëve të Bashës, nuk është përfshirë në draft dhe hapësirat e lëna për shkarkimin e kryetarit.

Arben Ristani:Është debatuar gjatë dhe konsultuar shumë. Unë mund të them që nuk e kanë statutet e partive të tjera ku ne bazohemi. Nuk mund të krijojmë mundësinë të punohet kundër kreut të PD që të humbasë zgjedhjet. Ndaj është konceptuar që dorëheqja është akt moral dhe elementi tjetër është mocioni i mosbesimit që i paraqitet Kuvendit Kombëtar, në rast se vlerësohet se duhet bërë një mocion i tillë mes dy zgjedhjeve”.

Ristani thotë se grupi i punës është treguar gjithëpërshirës në të gjitha propozimet që kanë ardhur si nga grupime ashtu edhe individë. Dy prej tyre ishin pikërisht Komisioni për Vlerësimin e kandidaturave për deputet, si dhe rikthimi në Këshillin Kombëtar, pa votë të ish-kryeparlamentarëve, krah ish-kryeministrave dhe ish-presidentëve demokratë, si parashikonte edhe statuti “Berisha”.

Arben Ristani: “Ishte vërejtje me vend dhe u përfshi. Unë besoj që është harruar në statutin e vjetër sepse janë ish-Presidentë dhe kryeministër dhe është fare normale që duhet të jetë edhe ish-kreu i parlamentit”.

Një ndryshim që spikat në draft-statut është zvogëlimi në numër dhe rritja e kompetencave të forumeve përmes këtij statuti, i cili zgjedhjen përmes parimit “një anëtar një votë” e shtrin tashmë nga kryetari i grup-seksionit tek kryetari i kësaj force politike.

Arben Ristani: “U mendua që kryesia e PD të jetë më e vogël në numër sepse është me operative dhe fleksibël. U kalua në një kryesi nga individë që ishin për shkak të funksioneve ndërsa tani trupa përfshin 15 veta të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Pra do të jetë një kryesi që do të përgjysmohet në 25-27 vetë”.

Ristani, që nuk arriti të zgjidhej deputet në zgjedhjet e fundit për shkak të pozicionit në listë, thotë se draft-statuti mundëson bashkimin e të gjithë demokratëve përmes procesit të drejtë dhe garës së ndershme brenda partisë. Ky draft do votohet nga anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD, më 29 Prill./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!