Lidhja Demokratike e Kosovës, pati në këto zgjedhje lokale në Kosovë rikthimin e madh, duke dalë forca e parë politike. Duke komentuar rikthimin e madh të LDK-së, e cila mori numrin më të madh të votave në nivel Kosove në zgjedhjet lokale, anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Besa Gaxherri thotë se qytetarët kthehen tek më i miri.
“Ne vërtetë e kemi marrë atë sinjal të zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, shumë seriozisht, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar reformat Brenda vetes, duke filluar nga lideri I partisë dhe me lidershipin, dhe jemi përgatitur shumë seriozisht për zgjedhjet lokale.”
Beteja kryesore është Prishtina ku Përparim Rama i LDK-së është përballë Arben Vitisë së Vetëvendosjes. A do ta fitojë LDK-ja Prishtinën?
“Po gjithsesi. Po e them jo si përgjigje klishe e partive politike, se do të fitojmë, tek e fundit, këtë fitore do ta vendosin qytetarët e Prishtinës, por po e them se është dashur të fitojë Përparim Rama në Prishtinë, jo sepse është nga LDK-ja, por sepse është një kuadro, një urbanist, një arkitekt, me famë ndërkombëtare, I cili ka hartuar së bashku me kryetarin e partisë një program që paraqet një revolucion urbanistik për Prishtinën.” /abcnews.al/