Këtë vit në shumë prej shkollave në Tiranë numri i nxënësve në klasa do të jetë më i vogël. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, thotë se kjo vjen pas shtimit të kapaciteve. Veliaj ishte në gjimnazin “Ismail Qemali”, i cili po përfundon së rikonstruktuari.
Punimet po shkojnë drejt mbylljes. Gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë këtë vit do ti presë nxënësit me mjedise të reja.
“Shkolla mban emrin e një prej personazheve më të rëndësishëm të historisë shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo e jona është një përpjekje modeste për të shpallur pavarësinë nga i ftohti, lagështia, rrëmuja, zhurma, nga një shkollë e rrënuar. Por, këtë lloj pavarësie të kohëve moderne mund ta bëjmë me punë, jo me fjalë. Ndaj, i gjithë gushti ka qenë një muaj sulmi, po ashtu edhe fillimshtatori do të jetë një muaj sulmi, për t’u siguruar që kapim datën e fillimit të shkollës”.
Me hapjen dhe shtimin e kapaciteteve në këtë gjimnaz dhe shkolla të tjera, numri i nxënësve në klasa është ulur.
“Pra, nga një shkollë me 40-50 nxënës në klasë, bëhet një shkollë me 32 nxënës në klasë. Kjo do të thotë se ka më pak nxënës për të njëjtin mësues, rrjedhimisht më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe një shans më të madh që secili nxënës të dalë akoma edhe më mirë në mësime. Por, ky lajm i mirë ka gjasa të tundohet nga një presion konstant që vjen nga prindërit. Këshilla ime për prindërit është kjo: nëse jeni banorë të zonës, të Njësisë 2 që iu prek ky pellgu i “Ismail Qemalit”, atëherë kjo është shkolla juaj. Nëse jeni më afër me “Abdulla Ketën” në Shkozë, nëse jeni më afër me “Sandër Prosin” në Sauk, atëherë mënyra më e mirë është për të regjistruar fëmijët atje. Duke i regjistruar nxënësit atje, do të thotë që do kalojnë më pak kohë në rrugë vajtje-ardhje, më pak vara-vingo dhe më shumë kohë me librat”.
Sipas kryetarit të bashkisë, nuk ka asnjë arsye që prindërit dhe nxënësit të kërkojnë të regjistrohen vetëm në ato shkolla që në të shkuarën kanë patur më shumë reputacion se të tjerat. Sot, deklaroi Veliaj, të gjitha shkollat ofrojnë standarde mësimdhënie dhe kushte shumë të mira. Ndërkohë, kryetari i bashkisë bëri të ditur se shumë shpejt nis ndërtimi i 17 shkollave të reja në kryeqytet, ç’ka pritet t’i japë fund mësimit me dy turne./abcnews.al