Rifillimi i Superiores dhe Kupa e Shqipërisë, zbuloni ndeshjet dhe oraret

schedule15:18 - 29 Maj, 2020

schedule 15:18 - 29 Maj, 2020

Kategoria Superiore do të rinisë të mërkurën e ardhshme (3 qershor), që përkon me javën e 27-të të këtij sezoni. Katër ndeshje do të zhvillohen në orën 17:00. Bylis-Tirana dhe Laçi-Teuta janë dy sfida shumë të forta, ndërsa duelet e tjera janë Flamurtari-Vllaznia dhe Kukësi-Luftëtari.

Në orën 20:00 do të luhet dhe ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave midis Partizanit dhe Skënderbeut, që do të luhet në kryeqytet. Skuadrat do të rikthehen sërish në fushë ditën e diel (7 qershor).

Katër duele do të zhvillohen sërish në të njëjtën orë (17:00). Tiran udhëton drejt Gjirokastrës dhe Laçi luan përsëri në shtëpi, kësaj here kundër Vllaznisë. Bylis-Teuta është një përballje shumë e fortë, teksa Flamurtari pret në shtëpi Skënderbeun.

Java e 28-të e kampionatit do të mbyllet me sfidën Partizani-Kukësi, që do të nisë në orën 20:00. Kalendari është i ngjeshur dhe katër ditë më pas është radha e sfidave të para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë (e enjte, 11 qershor).

Tirana pret Besëlidhjen në shtëpi dhe në Shkodër luhet Vllaznia-Teuta. Në këtë fazë ka mbërritur edhe Apolonia, që do të ketë përballë Kukësin e fortë. Sfida e parë do të luhet në Fier, ndërsa dueli tjetër është Bylis-Skënderbeu. Të katërta këto ndeshje do nisin në orën 17:00. /abcnews.al