Riatdhesimi i emigrantëve, Greqia kërkon ndihmën e BE: Turqia nuk zbaton marrëveshjen

schedule20:55 - 10 Gusht, 2019

schedule 20:55 - 10 Gusht, 2019

Greqia ka kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të detyruar Turqinë të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes për riatdhesimin e emigrantëve. Athina zyrtare ka deklaruar se ishujt helenë po përballen sërish me flukse emigrantësh dhe nuk kanë kapacitete për t’i përballuar ato.

Greqia do të kërkojë një përfshirje më aktive të Bashkimit Europian në zbatimin e marrëveshjes me Turqinë për rikthimin e emigrantëve dhe refugjatëve që nuk përmbushin kushtet për azil.

Në ditët e fundit ka patur sërish një rritje të fluksit dhe autoritetet lokale në ishujt kufitarë me Turqinë ankohen se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të akomoduar qindra njerëzit që mbërrijnë nga brigjet turke.

Situata paraqitet më dramatike në një nga kampet e ishullit Lesvos. Aty janë akomoduar 7.500 persona, në një kohë kur kampi ka mjedise të mjaftueshme për vetëm 3.000. Ndërkohë, sipas gazetës franceze “Le Figaro”, në Lesvos numri i emigrantëve është më i madh se ai i turistëve.

Kushtet e këqija të jetesës dhe pritja me vite për të marrë përgjigjen e aplikimit të tyre, kanë shkaktuar mjaft herë incidente të dhunshme, ndërsa nuk kanë munguar edhe përplasjet e provokuara nga grupime ekstremiste vendase. Në jo pak raste rruga e refugjatëve për të mbërritur në një ishull grek, mbart shumë rreziqe, madje edhe vdekjeprurëse.

Tragjedia e fundit ndodhi në mesin e qershorit kur shtatë refugjatë, mes të cilëve dy fëmijë, humbën jetën kur skafi që po i sillte në Greqi u mbyt në afërsi të Mitilinit. Ndërsa një tjetër tragjedi u shmang në orët e para të së premtes, kur policia bregdetare greke dhe patrullat e misionit Frontex shpëtuan 85 refugjatë kur dy skafet e tyre u përmbysën./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!