Reshjet e dëborës me intensitet më të ulët në vend

schedule19:48 - 1 Mars, 2018

schedule 19:48 - 1 Mars, 2018

Situata e motit paraqitet më e përmirësuar ditën e enjte. Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes bëhet me dije se të bllokuara janë vetëm disa rrugë rurale dhe fshatra malore. Në këto zona është pezulluar mësimi dhe ka mungesë të energjisë elektrike.

Shkodër

Reshjet e dëborës ishin me intensitet të ulët të enjten në Shkodër.
Të bllokuara janë akset rrugore Bogë–Theth, Shkodër-Mali Shoshit-Bregu i Lumit, Kelmend, Bashkia Malësi e Madhe dhe në fshatin Barbullush, Bashkia Vau Dejës.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se të bllokuara janë edhe rrugët rurale në njesitë administrative Rrape, Gjegjan, Luf Qerret të Bashkise Pukë. Në disa fshatra të thella ka probleme me energjinë elektrike.

Kukës
Në Kukës u ndërpre e procesit të mësimit për të gjitha shkollat. Vendimi i DAR Kukës erdhi për shkak të uljes së numrit të frekuentuesve dhe mos sigurimit të transportit për mësuesit në zonat e thella si pasojë e reshjeve të borës. Temperaturat pësuan një rritje të konsiderueshme duke kaluar në vlerat pozitive. Rruga e Kombit ka akses të vazhdueshëm. Te bllokuara janë Arrni, Kalisi, Bushtrica.

Peshkopi
Në qarkun e Dibrës në zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës, Xibri në Mat, Ternova, Martaneshi apo Klenja në Bulqizë, trashësia kalon mbi 1 metër.
Një pjesë e fshatrave që ishin afër qyteteve lëvizin, por pjesa më e madhe akoma janë të izoluar.
Bashkitë po punojnë për hapjen e akseve rurale. Në shumë shkolla procesi mësimor është ndërprerë.

Elbasan
Në Elbasan, segmentet nacionale janë të hapura, por në Qafthanë, drejtuesit e automjeteve duhet të lëvizin me shumë kujdes për shkak të ngricave dhe terrenit të rrëshqitshëm. Aksi nacional që lidh Librazhdin me Peshkopinë dhe Fushë Studen është i bllokuar.
Në Bashkinë Gramsh, rrugët rurale që lidhen me njësinë administrative Kukur, Lenie, Sult, Tunje, Poroçan, janë të bllokuara nga reshjet e borës.
Zonat e thella malore, gjithashtu janë të bllokuara dhe nuk po zhvillohet procesi mësimor. Grupet e punës janë në terren por është e vështirë që të çahet dëbora dhe ne fshatra ka nisur të ketë probleme edhe me bazën ushqimore për bagëtitë.

Korçë
Në juglindje, situta nga moti duket në përmirësim. Në Mokër, prej 4 ditësh mungon energjia elektrike dhe po prej kaq ditësh, procesi mësimor është pezulluar.
Probleme me energjinë kanë edhe disa fshatra të thella në Kolonjë, Korçë dhe Maliq. Rrugët nacionale janë të qarkullueshme, përveç rrugës që të çon në Dardhë, në të cilën lëvizet vetëm me zinxhirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!