Reshjet e dëborës bllokuan Rrugën e Arbrit, si paraqitet situata sot në Dibër

schedule08:08 - 22 Janar, 2023

schedule 08:08 - 22 Janar, 2023

Situata paraqitet e qetë dhe pa probleme në Dibër. Nga mbrëmja e djeshme nuk ka pasur më reshje dëbore dhe akset rrugore janë të kalueshme. Problematikë paraqet vetëm aksi Peshkopi-Lurë. Ndërkohë, raportohet se nuk ka zona që kanë probleme me energjinë elektrike.

Ditën e djeshme, shumë makina mbetën të bllokuara në Qafën e Murrizit në rrugën e Arbërit. Pas ndërhyrjes me tre borëpastruese dhe kriposjes së rrugës, autokolona e makinave u zhbllokua. Policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të vendosin gomat e dimrit dhe të përdorin zinxhirët.

Policia njoftoi se ka ndërmarrë masa shtesë për të shmangur aksidentet në këtë segment rrugor.

“Si pasojë e motit të keq në vendin e quajtur Qafë-Murrizë, ku në intervale të shkurtra kohore bien reshje dëbore, Policia Rrugore ka shtuar masat e saj duke koordinuar veprimet ndërmjet Policisë Rrugore të DVP Dibër dhe të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Patrullat e Policisë janë në lëvizje të koordinuara dhe me Patrullat e Përgjithshme, duke ndaluar dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të qarkullojnë me vëmendje të shtuar në Bypass.

Duke u nisur nga fakti që gjatë natës temperaturat ulen ndjeshëm dhe mund të krijohen shtresa akulli, Policia Rrugore apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugën e Arbrit, të tregojnë kujdes në Bypass dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, të cilët janë në patrullim përgjatë gjithë aksit rrugor për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në rast nevoje.

Ndërkohë firma kontraktore ka tre borëpastruese të cilat vijojnë punën duke e mbajtur të hapur aksin rrugor. Në rast nevoje për ndihnë, telefononi në nr 112.”, thuhej një njoftimin e policisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!