Reshjet e dendura të shiut vijuan edhe sot në kryeqytetin kinez, Pekin, duke detyruar autoritetet të marrin masa të forta për garantimin e sigurisë.
Për shkak të motit të keq, u mbyllën atraksione turistike, u pezulluan linja autobusësh dhe punimet në kantieret e ndërtimit, ndërsa banorët e zonave me rrezik të lartë u evakuuan, raportojnë mediat shtetërore.
Mbi 300 pika turistike dhe kampe u mbyllën, ndërsa aktiviteti u pezullua në më shumë se 4.100 struktura rurale.
Gjithashtu, rreth 250 linja autobusësh ndërprenë shërbimin, ndërsa trenat në 10 linja të metrosë u urdhëruan të qarkullonin me shpejtësi të reduktuar. Edhe shërbimet e anijeve turistike u pezulluan.
Autoritetet evakuuan banorë nga fshatrat malore, zonat e ulëta dhe territore të tjera të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Më shumë se 5.000 të moshuar u larguan gjithashtu nga institucionet e kujdesit.
Sipas të dhënave zyrtare, Pekini regjistroi mesatarisht 23.5 milimetra reshje nga mesdita e së martës deri në mëngjesin e së mërkurës.
Ndërkohë, të gjitha 3.357 kantieret e ndërtimit në qytet u urdhëruan të ndalonin punën, ndërsa autoritetet forcuan masat kundër përmbytjeve. Rezervuarët nisën të lëshonin ujë paraprakisht për të krijuar hapësirë shtesë për grumbullimin e reshjeve.
Qendra Kombëtare Meteorologjike rinovoi sot alarmin portokalli për reshje të dendura dhe paralajmëroi se shira të fortë do të përfshijnë një pjesë të gjerë të vendit deri në mëngjesin e së enjtes.


