Republikania përjashtohet nga komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve

schedule07:25 - 5 Shkurt, 2021

schedule 07:25 - 5 Shkurt, 2021

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të enjten e ndarë për ta përjashtuar anëtaren republikane Marjorie Taylor Greene nga dy komisione, një dënim i pashembullt që demokratët thanë se ajo e meritonte pasi kishte përhapur teori konspiracioni që nxisnin urrejtje dhe dhunë.

Pothuajse të gjithë republikanët votuan kundër lëvizjes së demokratëve, por askush nuk i doli në mbrojtje postimeve të saj të ashpra në mediat sociale për vite me radhë.

Vota e ngushtë pothuajse plotësisht në linja partiake, 230-199, ishte shembulli i fundit i shndërrimit të teorive të konspiracionit në shesh beteje politike, një dukuri gjithnjë e më e përhapur gjatë presidencës së Donald Trumpit. 11 republikanë votuan me demokratët për ta përjashtuar nga komisionet Greene.

“Sot afro 95 përqind e ‘republikanëve’ të Dhomës së Përfaqësuesve vunë politikën para parimeve dhe votuan kundër vënies para përgjegjësisë të anëtares së Kongresit, Greene për retorikën e saj të papranueshme, që mbështet dhunën”, u shpreh Kryetarja Demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nanci Pelosi përmes një deklarate.

Beteja politike e së enjtes nxorri gjithashtu në pah indinjatën dhe ndërlikimet politike që zonja Greene ka shkaktuar që kur u bë kandidate për në Kongres vitin e kaluar.

Në vend që të mbrojnë komentet e Greene, republikanët kritikuan me forcë precedentin që do të vendoste veprimi i demokratëve duke ndërhyrë në punët e një partie kundërshtare.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy tha se komentet e mëparshme të zonjës Greene “nuk pasqyrojnë pikëpamjet e partisë sime”.

Por pa përmendur emra, ai tha se Pelosi nuk kishte përjashtuar nga komisionet, demokratë që ishin përfshirë në debate kundërthënëse.

“Nëse ky është standardi i ri, ne kemi një listë të gjatë”, tha ai.

Vetë Greene u përpoq të distancohej nga komentet e saj të kaluara, kur foli më herët në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo tha se nuk i beson më teoritë e konspiracionit të grupit QAnon.

Por ajo nuk kërkoi hapur falje për komente mbi tema të tjera përfshirë ato ku e quante zonjën Pelosi “tradhtare” dhe se “tradhëtia” ishte “krim i dënueshëm me vdekje”.

Votimi i së enjtes i detyroi kolegët republikanë të anëtares së Dhomës së Përfaqësuesve Greene që të shprehnin qëndrimet në mbrojtje ose kundër saj, pasi ajo kishte ngjallur kritika të ashpra nga të dyja partitë.

Dilema politike e republikanëve nxjerr në pah tensionin që ka përfshirë partinë lidhur të ardhmen e saj që kur Donald Trump humbi zgjedhjet.

Greene ka bërë një numër të madh komentesh raciste, ndërsa përqafonte teori konspiracioni. Shumë prej tyre ishin në internet dhe u zhdukën kohët e fundit pasi grupi liberal Media Matters i zbuloi ato.

Republikanja ishte shprehur se afrikano-amerikanët “janë bërë skllevër të Partisë Demokrate” dhe kishte sugjeruar që vrasjet në një shkollë në Parkland të Floridës, ishin orkestruar për të fshehur autorët.

Ajo është shfaqur në një video në internet duke shqetësuar të mbijetuarin e sulmit me armë në shkollën e Parklandit, David Hogg duke e akuzuar atë “se po përpiqej t’i hiqte asaj të drejtat e Amendamentit të Dytë” (amandamendi qe lejon armëmbajtjen)./VOA