Rënia në raportin “Doing Business”, Konfindustria: Ekonomia në vështirësi

schedule12:25 - 27 Tetor, 2019

schedule 12:25 - 27 Tetor, 2019

Rënia e ndjeshme e Shqipërisë në raportin e fundit të Bankës Botërore për klimën e biznesit, sipas Konfindustrisë, tregon se ekonomia gjendet në vështirësi dhe një nga shkaqet kryesore është mungesa e investimeve të huaja.

Konfindustria shpreh shqetësimin për rënien e ndjeshme të Shqipërisë në raportin e fundit të Bankës Botërore për klimën e biznesit në vitin 2018. Shqipëria ka humbur 19 pikë në klasifikimin e përgjithshëm botëror, duke u renditur në vendin e 65 nga 190 vende të përfshira në raport.

Konfindustria vlerëson, se rënia e fortë e Shqipërisë në këtë klasifikim është e lidhur para së gjithash me rritjen e shpejtë të vendeve të tjera konkurente të Rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Shqipëria është në vend të parafundit, duke lënë prapa vetëm Bosnje-Hercegovinën e paqeverisur, por e ndarë praktikisht në 3 shtete. Treguesi i mesiperm është shenjë e qartë, se Shqipëria ka mbetur prapa në garën e konkurencës me vendet e tjera në tërheqjen e investimeve të vendit dhe të huaja. Mbyllja e projekteve të mëdha ndërkombëtare si TAP në transmetimin e gazit natyror nga Azerbaixhani në Itali dhe State-Crafti norvegjez në HEC-et e Devollit, praktikisht e kanë lënë Shqipërinë pa investime të huaja strategjike në vazhdim”.

Sipas administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku edhe treguesit zyrtarë makro-ekonomikë për 9-mujorin e vitit 2019 tregojnë se gjendja e ekonomisë do të jetë e vështirë edhe për vitin në vazhdim.

“Rënia me pothuaj 50% të të ardhurave buxhetore nga TVSH/tatimi mbi vlerën e shtuar si zëri kryesor buxhetor dhe rënia e kahut të rritjes ekonomike PBB në gjysmën e parashikimit vjetor, janë tregues të qartë për vazhdimësinë e gjëndjes së vështirë ekonomike. Rritja ekonomike prej vetëm 2.2% e PBB në 6 mujorin e parë të vitit 2019 rrezikon të kapi me shpejtësi vlerën e vitit 2013 pas krizës globale financiare, që konsiderohet më e ulta e 20 viteve të fundit”.

Konfindustria thekson se gjendja e ekonomisë paraqitet mjaft më e vështirë, nëse vlerësohet se borxhi publik është të paktën 10% më i lartë, pa llogaritur detyrimet financiare për koncesionet dhe PPP, si dhe duke mos marrë parasysh se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përllogaritur rreth 500 milionë dollarë detyrime të shtetit ndaj të tretëve, që nuk bëjnë pjesë në treguesit zyrtarë.  /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!