Rekord të infektuarish brenda një dite, India nxjerr ushtrinë për të menaxhuar pandeminë

schedule15:41 - 24 Qershor, 2020

schedule 15:41 - 24 Qershor, 2020

India po regjistron shifra rekord të infektuarish me koronavirus. Të mërkurën vendi konfirmoi 15,968 raste të reja me Covid-19, bilanci më i lartë që regjistrohen në vend brenda një ditë që nga fillimi i pandemisë.

Me rastet e konfirmuara së fundmi, numri total i të infektuarve në vend shkon nga 440,215 në 456,183. Një faktor që mendohet të ketë ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarave është edhe lehtësimi i masave shtrënguese.

Po ashtu, brenda ditës, autoritetet e shëndetit në vend raportuan 465 vdekje të reja, kjo mund të ishte shifra më e lartë e regjistruar deri më tani, por javën e shkuar vendi regjistroi 2,003 vdekje brenda një dite.

Ndërsa rastet pritet që të shtohen akoma më shumë, tashmë vendi ka nxjerrë ushtrinë për të ndihmuar në trajtimin e viktimave dhe në vendosjen e 10,000 shtretërve në një spital në kryeqytetin New Delhi.

Nga 13,400 shtretër për koronavirusin që janë të disponueshëm, 6,200 janë aktualisht të zënë. Ky numër mund të shkojë në 33,400 javën që vjen kur godinat e tjera, përfshirë edhe spitalin e ushtrisë, të hapen. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!