Regjistrimi i popullsisë në SHBA dhe harta zgjedhore

schedule22:42 - 12 Gusht, 2021

schedule 22:42 - 12 Gusht, 2021

Të dhënat e reja të regjistrimit popullësisë në Shtetet e Bashkuara të publikuara të enjten tregojnë një vend gjithnjë e më të larmishëm, me rritje të konsiderueshme në mesin e atyre që identifikohen si multi-racorë, hispanikë dhe aziatikë që nxitën pjesën më të madhe të rritjes së popullsisë në dekadën e fundit.

Publikimi të enjtes nga Byroja Amerikane e Regjistrimit të Popullësisë shënon gjithashtu fillimin e asaj që do të jetë një betejë e ashpër partiake për riformatimin e hartës së rretheve, pasi shtetet përdorin këto të dhëna për të filluar përcaktimin e zonave zgjedhore për anëtarë të Kongresit dhe zgjedhjet për legjislaturën shtetërore për dekadën e ardhshme.

Popullsia e bardhë jo-hispanike, e cila mbetet raca ose grupi më i madh etnik, ra me 8.6% gjatë dekadës së fundit dhe tani përbën 57.8% të popullsisë amerikane – përqindja më e ulët që kanë përfaqësuar ndonjëherë të bardhët në popullatën amerikane që kur filloi regjistrimi i popullsisë.

Të dhënat gjithashtu ofruan detaje të reja mbi shkallën e ngadalësimit të rritjes së popullsisë në vend, e cila është më e ulët se sa ishte në çdo kohë përveç viteve 1930.

Sipas raportit, më shumë se gjysma e të gjitha komunave amerikane pësuan rënie të popullsisë nga viti 2010 në 2020.

Nju Jorku, Los Anxhelesi, Çikago, Hustoni dhe Finiks janë pesë qytetet më të mëdha të SHBA; Finiks, i cili u rrit më shpejt se çdo qytet tjetër në 10 qytetet më të mëdha, tejkaloi qytetin e Filadelfia për nga numri i banorëve.

Të dhënat treguan se qytetet me rritjen më të shpejtë në të gjithë SHBA janë në zonat periferike. Bakaj, një zonë në periferi të qytetit Finiks, rrregjistroi rritje të popullsisë me gati 80% — më e larta në vend.

Publikimi i raportit erdhi muaj më vonë nga sa pritej fillimisht pasi u desh më shumë kohë që regjistrimi të përfundonte për shkak të pandemisë koronavirus. Vonesat kanë detyruar disa shtete të shkojnë në gjykatë për të shtyrë afatet e tyre për hartimin e zonave zgjedhore.

Shtetet përdorin të dhënat për të rishikuar hartën e rretheve që shërbejnë si zona elektorale për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA pas çdo regjistrimi dhjetëvjeçar, bazuar në vendndodhjen e njerëzve.

Në prill, zyra publikoi shifra në nivel shtetëror, duke treguar se Teksasi, Florida dhe Karolina e Veriut – të gjitha shtete të kontrolluara nga republikanët – do të fitojnë vende në Kongresi vitin e ardhshëm bazuar në rritjen e popullsisë.

Analistët zgjedhorë kanë thënë se republikanët potencialisht mund të kapërcejnë epërsinë e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve vetëm duke u bazuar tek riformatimi i zonave zgjedhore.

Disa ekspertë kanë ngritur pyetur nëse të dhënat e regjistrimit mund të kenë lënë pa numëruar si duhet disa popullata të caktuara, duke pasur parasysh pandeminë, si dhe përpjekjet e pasuksesshme të administratës Trump për të shtuar një pyetje mbi shtetësinë amerikane në census. Grupet e të drejtave civile kishin shprehur shqetësimin se përpjekja e dështuar megjithatë mund të ketë bindur disa emigrantë të mos plotësojnë formularët e regjistrimit.

“Ndërsa asnjë numërim nuk është i përsosur, ne jemi të sigurt se rezultatet e sotme përmbushin standardet tona të larta të cilësisë së të dhënave,” tha të enjten Ron Jarmin, drejtori në detyrë i Byorosë për Regjistrimin e Popullësisë./VOA