TIRANË- Protokolli i nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për pranimin e refugjatëve nga Afrika, ka shkaktuar debate në vend, por jo vetëm.
Mbrëmjen e sotme në “Real Story ” u diskutua kjo temë, ndërsa të ftuarit ndanë pikëpamje të ndryshme. Analisti Arben Meçe u shpreh se kjo është një marrëveshje politike dhe fuqinë ligjore e merr pasi të ratifikohet në parlamentet e të dyja shteteve.
“Kjo është marrëveshje politike mes dy shteteve dhe nuk është futur akoma në korridoret ligjore. Kur të kalohet në ligj do t’i diskutojmë ato. Është një marrëveshje ndërkombëtare, e cila debaton me të gjitha struktura që kanë të bëjmë me të drejtat e njeriut, të cilat tashmë kanë gjetur në mënyrë figurative një “kufomë” dhe të gjithë do sulen ato”, tha ai.
Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, theksoi se marrëveshja për refugjatët do të kalojë në Parlamentin e Shqipërisë. Ai shtoi se sipas marrëveshjes nuk do jenë më shumë se 3000 refugjatë që do vijnë njëherësh në Shqipëri.
“Parashikimi i marrëveshjes është në numër absolut. Në asnjë moment nuk do ketë më tepër se tre mijë veta aty. Tek ne do të ratifikohet në parlament dhe aty do të marrë fuqinë e ligjit në këtë drejtim. Do kemi dy pika; njëra qendra e pranimit, pra porti, që këta vijnë dhe më pas qendra e shqyrtimit. Në asnjë rast nuk do jenë më shumë se 3 mijë , për sigurinë e brendshme, për ngritjen e godinave, ushqimin, është përgjegjësi e Italisë. Shteti shqiptar do ketë pikat e veta të kontrollit. Aty brenda siguria do merret përsipër nga Italia”, tha deputeti i PS-së./ n.m.abcnews.al