Reforma Zgjedhore / Opozita ka gati draftin e saj, Bylykbashi: Do t’i lidhnim duart çdo qeverie

schedule15:06 - 23 Nëntor, 2019

schedule 15:06 - 23 Nëntor, 2019

Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë drejt finalizimit të draftit të tyre për reformën zgjedhore. Në një intervistë për “Abc News”, ish-deputeti Oerd Bylykbashi sqaron se disa propozime konkrete do të prezantohen në ditët e ardhshme. Opozita është e bindur se do të ofroj një draft që do t’i lidhë duart çdo qeverie nga blerja e votave.

Opozita e bashkuar ka gati draftin e saj me propozime konkrete për reformën zgjedhore dhe fillimin e javës së ardhshme 3 grupet e ngritura në selinë blu do të prezantojnë edhe zyrtarisht alternativën e tyre për një Kod të ri zgjedhor.

Drejtuesi i grupit që do të formulojë edhe vullnetin politik të opozitës, Oerd Bylykbashi në një intervistë për ABC News sqaron se, tashmë janë formuluar një sërë propozimesh që do te trajtojnë çështje madhore, siç është ajo e financimit të partive politike, dhe fushatave zgjedhore, por edhe ndryshime që janë të nevojshme në kodin zgjedhor, sa i përket rekomandimeve të ODIHR.

Por sipas demokratëve më me rëndësi janë çështje që lidhen me vullnetin politik, të cilat sipas Bylykbashit mund të trajtohen vetëm nga një qeveri teknike.

Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje do të jetë në krye të propozimeve të opozitës ndërkohë që Bylykbashi pranon se demokratët do të jenë të hapur për të diskutuar mbi ndryshimet në sistemin zgjedhor.

Reformimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas modelit të ofruar nga shumica kundërshtohet nga demokratët. Ish-deputeti demokrat është i bindur se një administrate të politizuar nuk mund t’i besohet procesi zgjedhor.

Komisioni i Posaçëm për reformën Zgjedhore po punon mbi draftin e hartuar nga ekspertët e Kuvendit ndërkohë që opozita përmes një grupi ekspertësh është duke punuar mbi një tjetër draft alternative.

Palët kanë pranuar prezencën e OSBE si arbitër për të arritur te një produkt konsensual që do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!