Reforma territoriale, Veliaj: BE të financojë direkt bashkitë që performojnë

schedule15:22 - 13 Nëntor, 2018

schedule 15:22 - 13 Nëntor, 2018

Në një takim të organizuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian lidhur me pushtetin lokal, kreu i bashkisë Tiranë Veliaj i kërkoi unionit më shumë invetime direkte për njësitë lokale të cilat performojnë në implementim. Për Jorida Tabakun, kjo duhet të nisë me fondin e zhvillimit të rajoneve, i cili sipas saj alokohet bazuar mbi ngjyrën partiake të njësive lokale dhe jo cilësisë së projekteve të propozuara.

Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian zhvilloi në Tiranë takimin e 23-të me fokus Ballkanin Perëndimor dhe pjesmarrës drejtues vendorë, ekspertë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së. Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në pushtetin qendror dhe atë lokal diskutuan dhe ndanë mendime lidhur me pushtetin vendor dhe reformën territoriale. Për kreun e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, sot vendi ka nevojë për mbështetje më direkte nga Bashkimi Europian, të kanalizuar tek njësitë vendore, bazuar mbi aftësinë e këtyre të fundit për implementimin e projekteve.

“Ka ardhur koha që edhe Komisioni Europian të mbështesë direkt bashkitë që janë të afta të implementojnë dhe që mund të çojnë këto kauza përpara”.

Në kërkesën e artikuluar refuzoi të bëjë dallime partiake.

“Si unë si Voltana që drejtojmë dy shoqatat e bashkive marrim feedback konstant për nevojën për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, gjelbërim dhe kjo është një nga arsyet pse ne kërkojmë që edhe Komisioni Europian t’i shikojë bashkitë si një prioritet dhe partnerë në implementim”.

Kjo sipas Jorida Tabakut duhet të niste nga vetë brenda shtetit, ku qëllim i reformës territorial të vitit 2014, ishte edhe ndryshimi i marrëdhënies mes pushteteve për fuqizimin e pushtetit lokal.

“Premtimi kryesor i Partisë Socialiste ishte premtim financiar. Të gjitha bashkitë, në 2014 shpenzonin 80 milionë euro më shumë të cilat do t’i jepenin qytetarit me shërbime më të mira, që do të kthehej tek ata për shërbime më të mira. Sot të dhënat e buxhetit tregojnë se bashkitë shpenzojnë 116 milionë euro vetëm për paga. Kjo është një vlerë dy herë më e lartë se e 2014-ës që është viti paraardhës i reformës territoriale. Sot bashkitë nuk kanë mundësi të bëjnë investime, nuk kanë aftësinë të bëjnë investime sepse buxheti i tyre është zënë nga pagat”.

Për Tabakun dallimet partiake në ndarjen e buxhetit për bashkitë janë të dukshme dhe mungesa e financimit të projekteve është pjesë e asaj që etiketoi ‘dështim të refromës’.

“Shembulli më i mirë është ndarja e fondit të zhvillimit të rajoneve, 90% e fondit të zhvillimit të rajoneve sot shkon për Bashkitë e majta.
Vetëm 10% për bashkitë e djathta. Kam parë projekte pa fund, projekte shumë të mira zbatimi që mesa duket nuk marrin fonde vetëm sepse diskriminohen”.

Për Veliajn menaxhimi i një qyteti nuk ndahet në ideologji të majta e të djathta.

“Mbledhja e plehrave, autobusët që vijnë në kohë, mbjellja e pemëve, cilësia e ajrit, janë çështje pa parti. Dhe pavarësisht bindjeve tona, në fund të ditë të gjithë duam të kemi qytete funksionale, dhe takime të tilla të cilat na mësojnë sesi qytetet mund të bëhen më funksionale janë gjithmonë të mirëpritura”.

Por kjo nuk bind zv.kryetaren e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, sipas së cilës sot një nga kompetencat kryesore të pushtetit lokal është propozimi i kontratave me partneritet publik privat dhe kryeqyteti ka mundësuar, sipas saj, edhe pasqyrën më të qartë të shkeljes së kompetencave të pushtetit lokal nga ai qëndror me rastin e Teatrit Kombëtar.

“Çështja e teatrit është shembulli më i mirë se si qeveria shkel me dy këmbë kompetencat lokale, shembulli më i mirë se si ka dështuar kjo reformë, shembulli më i mirë se si Këshilli Bashkiak i Tiranës është zhveshur, është cunguar nga përgjegjësitë. Sepse duhej të vendose ai këshill Bashkiak për mënyrën se si duhej të rikonceptohej qyteti i Tiranës dhe jo qeveria. Ajo që ne mendojmë dhe ajo që ne dëshirojmë janë bashki të afta për të konkurruar edhe bashkitë europiane; bashki me kapacitete, bashki me përgjegjësi, bashki me buxhete, me qytetarë që kanë më shumë shërbime, me pushtet lokal që është më afër qytetarëve”.

Për këto arsye Partia Demokratike është për ndërtimin e pushtetit vendor me dy nivele, jo nxjerrjen jashtë funksionit për nga kompetencat buxhetore të qarqeve, që sipas Tabakut duhej të ishin në zemër të reformës territoriale dhe përgjegjëse për të thither investime të BE-së. gjithashtu koncepti i ndarjes së taksave, ku ato që përdoren në një qytet të caktuar të ndahen me pushtetin lokal është pjesë e vizionit të demokratëve, përfundoi Tabaku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!