Real Madrid – Paris SG sfida më e madhe e Champions

schedule16:31 - 14 Shkurt, 2018

schedule 16:31 - 14 Shkurt, 2018

Sonte luhet dueli më i madh i raundit të dytë, të Ligës së Kampionëve. Reali pret në Madrid, Paris Sen Zhermenin, skuadrën që dëshiron të bëhet më e forta në kontinent.

Është e mërkurë Championsi, por është edhe ditë feste.

Gjithsesi edhe në kryeqytetin e kulturës, në Paris, Shën Valentinin nuk e mendojnë dot të ndarë nga supersfida e Madridit.

Paris SG ndaj Realit është kulmi që mund të jepte shorti i turit të dytë, me skuadrën franceze tepër ambicioze edhe pse shumë larg lavdisë së madhe të kundërshtarëve.

Yjet Nejmar, Kavani, Mbape, Verrati apo Tiago Silva thonë se janë gati.

Formacioni i dytë më i shtrenjtë në botë, dhe që ka bërë dy blerjet më të mëdha në histori, u nis në dukje i qetë drejt kryeqytetit të Spanjës.

Futbollistët, stafi teknik, dhe gjithë delegacioni parizien, u vendos në aeroplanin luksoz, që është personalizuar me fotot e mëdha të lojtarëve që dallohen edhe gjatë fluturimit.

Pritja në Madrid ishte e denjë për yjet e mëdhenj.

Emocionet ishin të mëdha në stadiumin mitik “Santiago Bernabeu”, aty ku PSG do të përpiqët të dalë mbi kampionët e Europës në fuqi.

Trajneri Unai Emeri, iuditërisht shkoi vonë në konferencën për shtyp dhe nuk u duk shumë i qetë.

Unai Emeri: “Ne do të luajmë ndaj ekipit që është fitues në fuqi i këtij kompeticioni, dhe po ashtu do të luajmë ndaj ekipit që e ka fituar Championsin më shumë se kushdo tjetër, 12 herë. E respektojmë Realin, por kemi besim tek mundësitë tona. Është një shans për ne që të tregojmë veten, por është edhe një detyrim përpara tifozëve dhe para klubit që ka bërë shpenzime të mëdha. Jemi më të përgatitur këtë herë, sesa ishim sezonin e kaluar ndaj Barcelonës. Mendoj se përgatitja për këtë ndeshje filloi pikërisht pas atij takimi”.

Edhe Reali shfaqet i sigurt në prag të sfidës së madhe, pavarësisht sezonit tepër të vështirë, sidomos në Spanjë.

Trajneri Zinedin Zidan, që për fat nuk ka shqetësime me dëmtimet, ndërsa i pezulluar është vetëm Dani Karvahal, ndërsa është nën presion të madh.

Nëse dështon edhe në Champions mund të shkarkohet.

Zinedine Zidan: “Ne sonte duhet të mendojmë vetëm për të luajtur futboll dhe për të luajtur mirë. Nëse luajmë mirë, me ekipin që kemi në dispozicion, mund t’ia dalim mbanë që të kualifikohemi. Natyrisht, ne do të kemi skemat tona ndaj Paris Sen Zhermenit, por vendimtarë do të jenë lojtarët, pasi ata do të jenë në fushë. Nuk kam aspak presion dhe nuk mendoj se kjo ndeshje vendos fatin tim. Unë shqetësohem vetëm për punën dhe për ekipin. Po ashtu, ne nuk jemi nën presion, pasi jemi mësuar me ndeshje të tilla, dhe na pëlqen që t’i “luajmë”.

 

Tradita është thellësisht në favor të Realit, që është skuadra më e mirë e kupave të Europës, me 12 Champions dhe shumë trofe të tjerë.
Në të kundërt, PSG gjashtë herë kampion i Francës, ka fituar vetëm një Kupë të Kupave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!