Reagimet për dekretin, Presidenca: Emocionale dhe të pathelluara

schedule11:14 - 28 Korrik, 2018

schedule 11:14 - 28 Korrik, 2018

Presidenti i Republikës i ka quajtur sipërfaqësore, emocionale dhe të pathelluara reagimet e politikës ndaj dekretit të publikuar vetëm një ditë më parë, i cili kthen ligjin për Teatrin Kombëtar në Kuvend për rishqyrtim.

Përmes zëdhënësit të këtij institucioni, Presidenti i Republikës Ilir Meta, fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri, të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin dhe arsyetimin për kthimin e këtij ligji.

Argumentet dhe konstatimet ligjore bazohen në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, thekson Kreu i Shtetit.

“Jam i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm mund të garantohet ruajtja e kompleksit teatror dhe restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtimi i teatrit të ri në mënyrë transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial”.

Ky reagim erdhi pas atyre të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe numrit dy të socialsitëve parlamentar, Taulant Balla, të cilët e quajtën të nxituar, fatkeq dhe zhgënjyes kthimin e ligjit për Teatrin Kombëtar me dekret Presidencial, edhe pse më parë kishin shprehur bindjen se Presidenti Meta do të merrte vendimin e duhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!