Raundi i dytë u “dogj” pa kandidat, Meta: I bindur që Parlamenti do t’i përmbushë detyrimet me përgjegjësi

schedule11:30 - 25 Maj, 2022

schedule 11:30 - 25 Maj, 2022

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka folur për mediat pas pjesëmarrjes në një event ku e pranishme ishte edhe homologia e tij nga Kosova, Vjosa Osmani. I pyetur nga gazetarët për procesin e zgjedhjes së pasuesit të tij, Meta tha se është i bindur që parlamenti do të përmbushë me përgjegjësi maksimale detyrimet e tij brenda afateve kohore.

“Besoj se parlamenti i di detyrimet e tij dhe do ta përmbushë me përgjegjësi maksimale brenda kohës së duhur…Besoj se parlamenti do të bëjë punën e tij dhe unë do vijoj të bëj punën time deri më 24 korrik.”

Kurse, i pyetur nëse opozita do të jetë më e fortë tashmë që ai do t’i kthehet jetës politike dhe Partia Demokratike drejtohet nga Sali Berisha, kreu i shtetit dha një përgjigje neutrale. Sipas tij, opozita e vërtetë janë qytetarët shqiptarë, që “duhet të bashkohen e ta çojnë përpara shtetin.

“Mendoj se opozita më e mirë nga e të gjitha janë shqiptarët e ndershëm dhe ata thjesht kanë nevojë të bashkohen e të çojnë përpara vendin.”

Kujtojmë se kreu i shtetit ishte i pranishëm në  “Forumin e Lirisë Ballkanike” me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan”, ku e pranishme ndër të tjerë ishte edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ambasadorja amerikane Yuri Kim. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!